Sport Reja me ide të qarta ndaj Andorrës: Nuk do të bëj eksperimente

Reja me ide të qarta ndaj Andorrës: Nuk do të bëj eksperimente

Shqipëria do të nisë fushatën e ndeshjeve kualifikuese për Botërorin që do të zhvillohet në Katar në vitin 2022 të enjten përballë Andorrës. Një ndeshje e lehtë në letër, por që trajneri i kombëtares, Edy Reja nuk ka ndërmend të tolerojë dhe të bëjë eksperimente. Ai u shpreh se në fushë do të hyjnë lojtarët që kanë mentalitetin e duhur dhe ata që kanë krijuar besim tek trajneri.

“Kam ide të qartë për formacionin që do të hedh nesër. Nuk kam ndërmend të bëj eksperimente në këtë ndeshje. Do të mbështetem tek lojtarët që kanë krijuar mentalitetin e duhur dhe tek ata që kam besim. Kemi dhe dy ndeshje të tjera dhe do të bëjmë zëvendësimet e duhura për të provuar lojtarë të tjerë. Prandaj kam bërë një thirrje për 28 lojtarë he normalisht nuk mund të grumbullohen të gjithë. Formacionin e kam vendosur. Sa i përket përgatitjeve kemi pasur pak ditë. Unë kam bërë një seancë të plotë stërvitore vetëm ditën e djeshme. Nuk është një gjë shumë e mirë, por do të gjejmë zgjidhjet me lojtarët që kemi dhe besoj se kemi punuar mirë”, tha ai.

Por çfarë objektivash ka Shqipëria në një grup me kombëtare si Anglia, Polonia dhe Hungaria? Reja nuk bën dot parashikime, por tregon se çfarë duhet të ketë ekipi kombëtar për të patur rezultate sa më të mira.

“Nuk mund të bëj parashikime sa i përket objektivit që do të ketë Shqipëria në këtë grup, por duhet ndryshim mentaliteti, duhet më shumë siguri. Ekipi duhet të ketë kurajo dhe aspak frikë. Duhet të ketë ekuilibër. Duhet të jemi shumë të fortë edhe psikologjikisht është ndryshe situata në klub dhe ndryshe në kombëtare. Në klub të lejohet të bësh edhe ndonjë gabim pasi rikuperohet. Në kombëtare duhet mbajtur tensioni lart i lojtarëve dhe skuadrës pavarësisht kundërshtarëve që kemi përballë”, tha Reja.

Në konferencën përpara ndeshjes foli edhe portieri Etrit Berisha i cili tha se është shumë e rëndësishme që këto eliminatore të nisin me këmbën e mbarë.

“Sigurisht është një ndeshje e rëndësishme, e njohim kundërshtarin. Kemi luajtur me Andorrën. Në ndeshjen në shtëpi bëmë disa gabime që nuk duheshin bërë. Nesër do jetë një ndeshje tjetër dhe do mundohemi të jemi të përqendruar dhe të përgatitur. Është shumë e rëndësishme për ne ta nisim me këmbë të mbarë”, tha Berisha.