Bota Virxhinia, shteti me më shumë ekzekutime, heq dënimin me vdekje

Virxhinia, shteti me më shumë ekzekutime, heq dënimin me vdekje

Virxhinia u bë shteti i parë në jug të SHBA që ndaloi ekzekutimet, pasi guvernatori Ralph Northam nënshkroi një ligj që shfuqizon dënimin me vdekje.

Guvernatori demokrat nënshkroi shfuqizimin e dënimit me vdekje në ligj gjatë një ceremonie jashtë ”Greensville Correctional Center” në Virxhinia, pasi vizitoi dhomën e ekzekutimit të burgut, ku 102 njerëz janë ekzekutuar që kur u hap në 1991.

Në shkurt, të dy dhomat e Kongresit votuan në favor të heqjes së dënimit me vdekje.

Virxhinia bashkohet me 22 nga 50 shtetet e tjera të vendit që kanë hequr dënimin me vdekje.

“Gjatë historisë sonë 400-vjeçare, Virxhinia ka ekzekutuar më shumë njerëz se çdo shtet tjetër”, tha Northam në një deklaratë. “Sistemi i dënimit me vdekje është thelbësisht i gabuar: është i padrejtë, joefektiv dhe nuk ka vend në këtë bashkësi”, shtoi ai.

Ai përmendi rastin e Earl Washington, i cili u dënua me vdekje në 1984, ekzekutimi i të cilit u anulua vetëm nëntë ditë para datës së caktuar. Ai u la i lirë në vitin 2000.

“Sistemi lejoi një person të pafajshëm të dënohej për vrasje dhe nëse Earl Washington është i vetmi person që ne e dimë se u shpëtua nga korridori i vdekjes në Virxhinia, a mund të jemi të sigurt se nuk kishte të tjerë?”, tha Northam.

“Ju nuk mund ta kaloni këtë vendim nëse nuk jeni 100 për qind i sigurt se keni të drejtë dhe nuk mund ta merrni atë nëse e dini se sistemi nuk funksionon njësoj për të gjithë”, shpjegoi ai, duke theksuar se 296 nga 377 të burgosurit e ekzekutuar në shekullin e 20-të ishin afro-amerikanë.