Kryesore “29 miliardë dollarë humbje nga shitja lirë e vaksinës”, AstraZeneca e tronditur...

“29 miliardë dollarë humbje nga shitja lirë e vaksinës”, AstraZeneca e tronditur nga sulmet e BE

E vetmja kompani që ka hequr dorë nga fitimet e mëdha, ndërsa rivalët e AstraZeneca kanë shënuar fitime të mëdha gjatë pandemisë. Por BE i jep ultimatum kompanisë britanike: Respekto kontratën për vaksinat

Mediat britanike kanë publikuar të premten një artikull ku raportojnë disa të dhëna, sipas tyre zyrtare, se kompania AstraZeneca sakrifikoi 29 miliardë dollarë duke e shitur vaksinën e saj kundër koronavirusit pa përfitim.

Kompania britanike është zotuar të prodhojë 3 miliardë doza të vaksinës të zhvilluar me Universitetin e Oksfordit për një çmim mesatar prej vetëm 5 dollarësh për dozë që konsiderohet minimumi i nevojshëm për të mbuluar kostot.

Vendim i rrallë

Vendimi i saj për të hequr dorë nga fitimet e mëdha është një veprim i paparë nga një biznes shumëkombësh, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë ta konsiderojë atë si vaksina për botën.

Por kritikët në BE janë përpjekur ta sulmojnë kompaninë për problemet që lidhen me furnizimin dhe ta fajësojnë atë për vonesat e shpërndarjes së vaksinave në vendet e bllokut. Disa madje e kanë akuzuar atë për pandershmëri dhe fshehje të dozave.

Këto sulme thuhet se kanë lënë të tronditur drejtuesit e AstraZeneca dhe për këtë arsye disa prej tyre kanë sugjeruar të heqin dorë nga i njëjti vendim në të ardhmen. Nëse fitimi do të kishte qenë qëllimi i saj kryesor, Astra mund të kishte rritur ndjeshëm të ardhurat e saj.

Daily Mail ka mësuar se nëse firma do të dyfishonte çmimin për vaksinë në 10 dollarë, ajo mund të arrinte një përfitim prej 13 miliardë dollarësh në të ardhura, ndërsa 3-fishimi i saj do të sillte mbi 21 miliardë dollarë.

Rivalët e AstraZeneca kanë shënuar fitime të mëdha gjatë pandemisë. Vaksina Pfizer-BioNTech kushtuar rreth 20 dollarë për dozë dhe Moderna rreth 32 dollarë.

BE, ultimatum AstraZenecas

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se kompania AstraZeneca duhet të respektojë afatin kohor që ka në kontratë për të furnizuar me vaksina vendet e Bashkimit Europian përpara se të eksportojë doza në shtete të tjera.

“Kompania duhet të respektojë kontratën që ka me vendet anëtare europiane përpara se të angazhohet në eksportin e vaksinave. Duam t’u shpjegojmë qytetarëve tanë europianë se ata mund të marrin atë që u takon me të drejtë”, tha Presidentja e KE.

Ursula von der Leyen i bëri këto deklarata pasi udhëheqësit e BE zhvilluan një samit ku diskutuan për furnizimet me vaksina. Ndërkohë, Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve se prej këtij momenti “merr fund naiviteti” i Bashkimit Europian.

Shpërndarja e vaksinave në vendet e BE-së ka ecur me ritme të ngadalta dhe unioni ka fajësuar kompanitë, kryesisht AstraZenecan, që nuk ka ofruar në kohë dozat e premtuara. Nga ana tjetër, AstraZeneca ka mohuar pretendimet për mosrespektimin e kontratës.