Aktualitet Vrasja e babë e bir në Elbasan në 2012, arrestohet Ardian Çapja....

Vrasja e babë e bir në Elbasan në 2012, arrestohet Ardian Çapja. Në kërkim Florenc Çapja

Ardian Çapja dhe Florenc Çapja

Ardian Çapja është vënë në pranga nga Policia e Elbasanit pas një urdhër ndalimi të lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit. 53-vjeçari është arrestuar pasi dyshohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë kanë vrarë me armë zjarri në vitin 2012 Gentian Beqirin dhe Nezir Beqirin, babë e bir.

Po ashtu si pasojë e informacioneve të mbledhura dhe hetimeve është shpallur në kërkim për këtë ngjarje edhe Florenc Çapja, 40 vjeç. Edhe ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në ngjarjen kriminale të vitit 2012.

Ndalimi i 53-vjeçarit dhe shpallja në kërkim e 40-vjeçarit u bë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Gjatë operacionit, në banesën e Ardian Çapjes, policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.

Mësohet se operacioni për kapjen e Çapjes u kodua “Krasta 2021” dhe në të kanë marrë pjesë edhe forcat RENEA. 53-vjeçari konsiderohet një person me precedentë të theksuar kriminalë.

Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë u arrestua më 11 Tetor të vitit të kaluar në Greqi edhe Jorgo Leku. 41-vjeçari, i cili njihet edhe me tre identitete të tjera si Olsi Leka alias Giorgo Lekou alias Jorgo Lekou u vu në pranga nga Interpol Athina pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare si autor i dyshuar i vrasjes së Gentian Beqirit.

Gentian Beqiri dhe babai i tij Nezir Beqiri

Gentian Beqiri u vra më 15 Gusht të 2012-ës në banesën e tij në Elbasan teksa qëndronte nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Ai ka qenë dënuar si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

Në lidhje vrasjen e Beiqirit është ekstraduar nga Italia vitin e kaluar Etien Cani. Ai ishte shpallur në kërkim si një nga autorët e vrasjes së dyfishtë. Beqiri ruhej nga efektivë të policisë, por autorët përdorën pikërisht Etien Canin për të hyrë brenda, pasi ai ishte shok fëmijërie me viktimën.

Për vrasjen e dyfishtë është arrestuar vitin e kaluar edhe 36-vjeçari Ervis Bardhi, që dyshohet se bashkëpunoi me Canin. Beqiri u qëllua me 4 plumba me një arme me silenciator teksa flinte gjumë në shtratin e tij, ndërsa i ati u dhuna barbarisht nga autorët ndërsa ndërroi jetë edhe për shkak të një infarkti. Beqiri ishte i paralizuar pasi në tentativë për t’i ikur policisë ai ishte hedhur nga një mur i lartë duke pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore dhe prej 6 vitesh qëndronte në banesën e tij.

Sipas policisë kjo vrasje ishte në vazhdimësinë e një hasmërie të gjatë mes dy fiseve në Elbasan dhe që ka shkaktuar në vite disa të vrarë.

Mes viktimave është edhe vëllai i Gentian Beiqirit, Saimir Beqiri, i cili u vra orët e para të mëngjesit të 11 Prillit të 2016-s në Elbasan. Ai u gjet i pajetë në oborrin e një lokali në dalje të qytetit.