Kryesore Koronavirusi i merr jetën Bashkim Finos. Sot ditë zie kombëtare

Koronavirusi i merr jetën Bashkim Finos. Sot ditë zie kombëtare

Bashkim Fino, deputet i Partisë Socialiste dhe ish-kryeministër, ndërroi jetë sot në moshën 59-vjeçare për shkak të komplikacioneve nga koronavirusi.

Prej më shumë se një muaji, Fino ishte infektuar me Covid-19, por nuk e fitoi dot betejën për jetën.

Bashkim Fino ishte kandidat për deputet për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai ishte i katërti në listën e Partisë Socialiste për Fierin.

Fino lindi më 12 Tetor të 1962 në Gjirokastër.

Ai ishte kryeministër i Shqipërisë prej 9 Marsit 1997 deri më 29 Qershor 1997.

Studimet e larta, Fino i kreu në Universitetin e Tiranës për Financë. Në vitin 1992, Bashkim Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.

Prej vitit 1997 e në vazhdim Fino ka qenë anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Ai ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.

Sot ditë zie kombëtare në nderim të Bashkim Finos

Qeveria ka shpallur 29 Marsin ditë zie kombëtare në nderim të Bashkim Finos, i cili ndërroi jetë për shkak të koronavirusit këtë të hënë.

Në vendimin e firmosur nga kryeministri Edi Rama thuhet se dita e zisë shpallet në nderim të Bashkim Finos, i cili ka qenë kryeministër i qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe deputet në një sërë legjislaturash.

Të gjitha institucionet shtetërore dhe publike duhet të ulin flamurin kombëtar në gjysmë shtizë. Mësohet se ceremonia e homazheve në nder të Finos do të organizohet nga ora 12:00 deri në orën 16:00 në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

“Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga institucioni organizator i ceremonialit”, thuhet në vendimin e firmosur nga Rama.