Kryesore Zbulohet një pjesë nga raporti i OBSH: Nga erdhi Covid

Zbulohet një pjesë nga raporti i OBSH: Nga erdhi Covid

Burim i koronavirusit me shumë mundësi janë kafshët të cilat ia kaluan virusin njeriut. Këtë qëndrim ka vendosur të paraqesë në raportin hetim misioni i përbashkët i OBSH-së dhe Kinës, hidhet thuajse tërësisht hipoteza e rrjedhjes së virusit nga laboratori i virologjisë i Wuhan-it.

Raporti i siguruar nga agjencia “Associated Press” lë ende shumë pyetje pa përgjigje, ndërkohë ekspertët sugjerojnë vijimin e hetimeve në çdo drejtim, përveç hipotezës së rrjedhjes së virusit nga laboratori.

Publikimi i raportit është shtyrë, çka sipas ekspertëve ngre dyshime se pala kineze është përpjekur të ndikojë gjetjet dhe të largojë çdo përgjegjësi për keqmenaxhimin e fazës fillestare. Një zyrtar i OBSH-së tha se raporti do të publikohet brenda disa ditësh.

Në këtë fazë është ende e paqartë nëse raporti do të ndryshojë sërish nga varianti i parë nga agjencia e lajmeve AP. Një diplomat që foli nga Gjeneva në kushte anonimati tha se dokumenti nuk mund të shpërndahet para publikimit. Ekspertët e OBSH-së kanë listuar disa skenarë të mundshëm të origjinë së virusit SARS-CoV-2.

Në krye të listës qëndron hipoteza e kalimit të virusit nga lakuriqët e natës tek njeriu nëpërmjet një kafshe të dytë. Skenari tjetër është ai i kalimit direkt nga lakuriqët e natës tek njeriu dhe skenari i tretë dhe më pak i mundshëm është ai i përhapjes nëpërmjet ushqimeve të ngrira.