Bota Skandali i spiunazhit, Italia dëbon dy diplomatë rusë

Skandali i spiunazhit, Italia dëbon dy diplomatë rusë

Oficeri i marinës italiane arrestohet duke i dorëzuar dokumente zyrtarit ruse. Moska: Jemi të detyruar t’i përgjigjemi Romës në të njëjtën mënyrë

Tensione mes Italisë dhe Rusisë. Shkak u bë kapja e një oficeri të marinës ushtarake italiane, teksa i dorëzonte dokumente të klasifikuara një zyrtari ushtarak rus të akredituar në ambasadën e këtij shteti në Romë.

Gjatë orëve të mesditës, Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio njoftoi dëbimin e dy zyrtarëve rusë. Më herët gjatë ditës, Ministria e Jashtme thërriti ambasadorin rus në Romë për rastin në fjalë.

“Kur ambasadori rus në Itali u thirr nga Ministri e Jashtme, i shprehëm notën e protestës së qeverisë italiane dhe e njoftuam për dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë të përfshirë në këtë aferë ekstremisht serioze”, tha Di Maio nëpërmjet Facebook.

“Falenderoj shërbimet e inteligjencës dhe të gjitha organizmat që punojnë çdo ditë për sigurinë e shtetit tonë”, shtoi ai.

Reagon Moska

Ndërkohë, një burim i Kremlinit i cituar nga RIA Novosti, tha se Moska shpreson që marrëdhëniet me Romën të mos cenohen nga rasti në fjalë. Ndërsa Ministria e Jashtme ruse, duke folu për ANSA tha se pala ruse ndihej e trishtuar nga vendimi i Italisë për dëbimin e zyrtarëve të saj.

“Po ekzaminojmë rrethanat e këtij vendimi. Do të kemi një njoftim për hapat e mundshëm që lidhen me këto masa, që nuk korrespondojnë me nivelin e marrëdhënieve bilaterale”, tha në reagim Ministria ruse.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti i Komisionit të Dumës për Çështjet e Jashme, Alexiei Cepa, tha se Moska duhet ti përgjigjet në mënyrë simetrike Romës për dëbimin e dy diplomatëve nga Italia.

“Natyrisht do të jemi të detyruar t’iu përgjigjemi në mënyrë analoge. Do të jetë përgjigje simetrike“, tha Cepa për Interfax.

Spiunazhi

Ushtaraku italian, kapiten i një frigate dhe zyrtari rus u ndaluan nga njësia ROS e karabinierëve orët e vona të së martës. Burime për mediat italiane thonë se oficeri i marinës akuzohet për krime të rënda që lidhen me spiunazhin dhe sigurinë shtetërore.

Përveç hetimit kriminal, një hetim kanë nisur edhe prokurorët ushtarakë. Dyshohet se mes materialeve që oficeri i marinës po dorëzonte kishte edhe dokumente të NATO-s.

E para që shprehu mbështetjen ndaj Italisë ishte Britania.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron në solidaritet me Italinë dhe veprimet e saj sot, duke ekspozuar dhe ndërmarrë masa kundër aktivitetit destabilizues dhe malinj të Rusisë, që synon të dëmtojë aleatin tonë në NATO”, tha Sekretari i Jashtëm, Dominic Raab në një postim në Twitter.