Mumiet e 22 faraonëve dhe pjesëtarëve të tjerë të aristokracisë së Egjiptit të Lashtë do të “ngrihen nga varri” këtë fundjavë dhe do të parakalojnë në rrugët e Kajros në kërkim të një shtëpie të re.
Eshtrat e 18 mbretërve dhe katër mbretëreshave do të renditen sipas moshës, në platforma të veçanta të zbukuruara në stilin e lashtë egjiptian në një procesion të quajtur “Parada e Artë e Faraonëve”.
Mbetjet po lëvizin nga Muzeu Egjiptian në qendër të Kajros, ku qëndruan për dekada, në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian, i hapur në 2017 në jug të qytetit.
Ata do të vendosen atje në “vitrina pak më moderne”, tha Salima Ikram, një profesore e Egjiptologjisë në Universitetin Amerikan në Kajro.
“Kontrolli i temperaturës dhe lagështisë do të jetë më i mirë se në muzeun e vjetër”, shtoi Ikram, një ekspert i mumifikimit.
Faraonët dhe mbretëreshat do të udhëtojnë me qerre të arta, secila në vete. Çdo karrocë do të ketë amortizues për të udhëtuar sa më sigurt në udhëtimin 40-minutësh përmes Kajros.
Sekenenre Tao II. i quajtur Trimi, i cili drejtoi Egjiptin jugor rreth 1600 para Krishtit, do të jetë në qerren e parë, ndërsa në anën e pasme do të jetë Ramses IX, i cili sundoi në shekullin e 12 para Krishtit.
Ramses II dhe Mbretëresha Hatshepsut do të jenë gjithashtu në procesion.
Procesioni do të fillojë në 6 pasdite me kohën lokale të shtunën dhe do të ketë siguri të madhe. Ai do të shoqërohet me muzikë dhe shfaqje nga artistë egjiptianë dhe do të transmetohet të gjithë drejtpërdrejt në televizionin shtetëror.
Zbuluar jo shumë larg Luxor-it në fillim të vitit 1881, shumica e 22 mumieve janë shfaqur që nga fillimi i shekullit të 20-të në Muzeun Egjiptian në Sheshin Tahrir.
Që nga vitet 1950, ata janë shfaqur në një dhomë të vogël, krah për krah, pa etiketa shpjeguese.
Para lëvizjes, mumiet do të vendosen në kontejnerë të veçantë me azot, në kushte të ngjashme me ato në vitrinat e tyre.
Në shtëpinë e tyre të re, ata do të ekspozohen veçmas, secili pranë një sarkofagu dhe, në disa raste, një statujë, në një mjedis që të kujton varret mbretërore nëntokësore.
Ekspozitat do të kenë etiketa të shkurtra me një biografi të sundimtarit dhe në disa raste kopje të skanimeve CT.
“Mumiet do të ekspozohen në një mënyrë të bukur për herë të parë, për qëllime edukative,” tha egjiptologu Zahi Hawass.
Pamja fantazmë e mumieve ka sprapsur shumë vizitorë për dekada.
Ndër më të spikaturat është Princesha Margaret, motra e Mbretëreshës Britanike Elizabeth II.
“Kurrë nuk do ta harroj kur e çova Margaret në muze”, tha Hawass, një ish-ministër i antikave.
“Kishte një mumje të Ramses II në galeri … Ajo mbylli sytë dhe iku, nuk mund të duronte atë që pa”.
Muzeu Kombëtar i Qytetërimit Egjiptian u përfundua në 2010 dhe “unë planifikova ta hapja atë në 2012”, tha Hawass. Kjo u rrëzua për shkak të revolucionit të vitit 2011 dhe paqëndrueshmërisë që pasoi.
Në muajt që pasojnë, Egjipti duhet të hapë një muze tjetër, Muzeun e Madh Egjiptian, jo shumë larg Piramidave të Gizës.