Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar koordinatorit të fushatës së PS në Vlorë, që dëshiron të shohë “tërmet” në Vlorë në zgjedhjet e 25 prillit.
Në një video të publikuar në Facebook, Rama shfaqet duke komunikuar në telefon me Gjiknurin.
“Do e bësh tërmet Vlorën, apo jo?”, e pyet kryeministri. “Po, kam qejf që të bëhet fitorja dhe ta them edhe një herë atë fjalë, aty e ka lezetin”, përgjigjet Gjiknuri. “Forca ta bëjmë një tërmet atje”, i thotë Rama.
Fjala “tërmet” e përdorur nga Gjiknuri doli në përgjimet e publikuara nga “Bild”, ku deputeti socialist komentonte fitoren në zgjedhjet lokale në Dibër, në vitin 2016.
Gjatë telefonatës, Rama e pyet Gjiknurin edhe për atë që e konsideron pjesëmarrjen e presidentit Ilir Meta në fushatë. “Presidenti vjen se atë punë ka. Vjen i maskuar, ka mënyrën e tij. Punon prapa dyerve”, i thotë Gjiknuri. “Me OFL? Apo kap çfarë të kapësh, ku të dalë?”, pyet Rama, duke marrë si përgjigje nga Gjiknuri: “LSI këtu sikur e ka humbur toruan… nuk e gjen veten”.