Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se në Aeroportin e Rinasit ka nisur puna pas situatës së krijuar një ditë më parë me grevën e kontrollorëve të trafikut ajror.
Belinda Balluku informoi se puna ka nisur me fluturimet esenciale, ndërsa ato komerciale mund të nisin duke filluar nga dita e nesërme.
Sipas ministres, ka pasur një plan për të mbajtur aeroportin të bllokuar deri ditën e zgjedhjeve dhe se për këtë çështje po zhvillohen hetime të mëtejshme
“Pas ngjarjes së djeshme nga greva e paligjshme në këto momente në aeroport nisin fluturimet esenciale, që përfshijnë humanitaret, emergjentet, diplomatiket dhe ushtaraket. Kemi arritur të ruajmë sasinë e vaksinave që duhet të vinte dje, e cila do të vijë sot rreth orës 15:00. Informoj qytetarët që do të jetë e pamundur në këto momente për fluturime komerciale, por po punohet për të zgjidhur këtë problem. Sipas planeve, nesër në mëngjes, do të kemi operime normale për të gjithë udhëtarët. Kjo situatë e rëndë dhe e jashtëzakonshme na ka bërë të kuptojmë se ka qenë një plan i organizuar për të pasur një bllokim deri në ditën e zgjedhjeve. Rëndësi ka që trafiku ajror ka filluar punën”, tha Balluku.