Inteligjenca amerikane nuk përjashton hipotezën që një incident ka ndodhur në një laborator kinez, për të shpjeguar kësisoj fillimin e epidemisë së virusit Corona në Wuhan të Kinës.
“Komuniteti i inteligjencës nuk e di saktësisht se ku, kur dhe si u transmetua virusi për herë të parë”, tha Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines përpara Komisionit të Senatit për Zbulimin, gjatë një seance dëgjimore të titulluar “Kërcënimet në botë”.
Ajo foli për dy teori të mundshme që mund të shpjegojnë origjinën e koronavirusit: kontaktin njerëzor me kafshë të infektuara ose një incident laboratorik.
Ajo shtoi se puna vazhdon për këtë çështje, pasi po mblidhet informacion për të sqaruar origjinën e pandemisë.
“Ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi dhe duke përdorur burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi këtë”, tha Drejtori i CIA-s William Burns. Por “ajo që është e qartë për ne dhe ekspertët tanë, është se udhëheqësit kinezë nuk ishin plotësisht të sinqertë ose transparent në bashkëpunimin e tyre” me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha ai.
Kina, një kërcënim i pashembullt
Drejtuesit e agjencisë amerikane të zbulimit paralajmëruan edhe për “kërcënimin e pashembullt” që vjen nga Kina, duke përmendur agresionin rajonal të Pekinit, aftësitë kibernetike dhe ndikimin ekonomik.
“Kina gjithnjë e më shumë është një konkurrente që sfidon Shtetet e Bashkuara në aspekte të shumta, ndërsa bën presion për të ndryshuar normat globale në mënyra që favorizojnë sistemin autoritar kinez”, tha Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines.
“Kina gjithashtu ka aftësi të konsiderueshme kibernetike që nëse përdoren, së paku, mund të shkaktojnë ndërprerje të përkohshme në shkallë lokale të infrastrukturave kritike brenda Shteteve të Bashkuara”, tha Haines.
Ajo gjithashtu përmendi si kërcënime të rëndësishme përpjekjet ruse për të minuar ndikimin e SHBA, rolin e Iranit në paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme, terrorizmin global dhe përpjekjet e mundshme të Koresë së Veriut për të “futur pyka” midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij.
Raporti i Haines dhe i drejtorëve të tjerë të agjencisë së inteligjencës shënoi dëgjesën e parë publike me titull “Kërcënimet në botë”, që nga janari 2019, ku diskutohet mbi kërcënimet globale ndaj Shteteve të Bashkuara. Ato nuk u mbajtën gjatë dy viteve të fundit të administratës së ish-Presidentit Donald Trump, i cili shpesh u përplas me agjencitë e sigurisë së vendit.