Extra Psikologjia e ngjyrave. Çfarë thotë për ty ngjyra jote e preferuar?

Psikologjia e ngjyrave. Çfarë thotë për ty ngjyra jote e preferuar?

Ngjyra e preferuar e dikujt flet shumë për personalitetin dhe sjelljen e tij/saj. Për shumë vite me radhë psikologët janë munduar të gjejnë një lidhje midis karakteristikave të personalitetit të dikujt dhe ngjyrës së tij/saj të preferuar. Hidhini një sy cilësive të mëposhtme, bazuar në ngjyrën tënde të preferuar.

E verdha

Kjo është ngjyra e preferuar e personave që kanë një imagjinatë shumë të zhvilluar dhe kanë horizonte të shkëlqyera. Në pjesën më të madhe të rasteve janë realistë, ndaj dhe nuk zhgënjehen shpesh. Çdo gjë për ta ndodh sipas pritshmërive. Kanë një sens të çuditshëm humori dhe sy plot me optimizëm.

E kuqja

Ngjyra e kuqe pëlqehet nga njerëzit plot me pasione. Jeta pa ndryshime dhe aventura duket e bezdisshme per ta. Janë persona shumë nevrikë, por pas pak minutash qetësie, nuk vihen më re shenja të acarimit të tyre. Shpesh këta persona bëhen “shpirti” i shoqërisë. Japin përshtypjen e personave që kanë personalitet të vendosur dhe të fortë.

Grija

Personat që zgjedhin këtë ngjyrë, janë besnikë në çdo aspekt. Atyre mund t’u besosh për çdo situatë të mirë, apo të komplikuar dhe delikate. Këta persona janë një mbështetje shumë e madhe jo vetëm për partnerët e tyre, por për të gjithë përreth vetes. Edhe pse nuk i pëlqejnë grupet e zhurmshme shoqërore, di se si të përshtatet me të gjithë.

Kafja

Ka plot persona që e pëlqejnë ngjyrën kafe. Nëse të pëlqen kjo ngjyrë, ti je një person i sinqertë, i duruar dhe shumë i respektuar. Edhe pse ke një karakter kompleks nga natyra, je i aftë ta kuptosh dhe ta pranosh siç duhet realitetin. Je person impulsiv dhe reagon pak keq ndaj kritikave të të tjerëve.

Vishnja

Ngjyra vishnje me gjithë nuancat e saj zgjidhet kryesisht nga personat kreativë. Nga ana tjetër, kjo ngjyrë flet edhe për persona që nuk u binden shumë urdhërave të të tjerëve. Ata që e pëlqejnë këtë ngjyrë, janë persona shumë socialë, i ndihmojnë miqtë t’i kalojnë problemet e tyre, si dhe janë persona tek të cilët mund të mbështetesh përherë.

Portokallia

Kjo ngjyrë pëlqehet nga personat e lumtur dhe aktivë, që nuk dinë vetëm të shfrytëzojnë çdo mundësi që u jepet, por edhe shkojnë drejt realizimit të gjërave që pëlqejnë. Por këta persona janë ndonjëherë të prirur t’i ekzagjerojnë dhe t’i dramatizojnë situatat që u shfaqen në jetën e tyre. Janë gjithnjë në qendër të vëmendjes së të tjerëve.

Jeshilja

Ngjyra e qetësisë dhe krijimit. Preferohet nga personat me karakter kompleks, por me një intelekt të zhvilluar. Atyre u pëlqen t’i argumentojnë gjërat bazuar në koncepte filozofike. Kanë shpirt lideri dhe janë në gjendje t’i udhëheqin të tjerët në një grup.

Bluja

Njerëzit që preferojnë ngjyrën blu, kërkojnë të arrijnë harmoninë e jetës. Kjo gjë vlen për të gjitha sferat e jetës : dashurinë, bizneset, shëndetin, karrierën, financat, marrëdhëniet personale. Edhe këta persona janë të sinqertë dhe i përkushtohen shumë jo vetëm vetes, por edhe të tjerëve rreth tyre. Nuk e pranojnë mungesën e sinqeritetit, manipulimet, apo hipokrizinë. Një tjetër karakteristikë që vihet re tek personat që pëlqejnë ngjyrën blu, është se janë shumë konservatorë dhe e kanë të vështirë të tregohen liberalë për shumë çështje “moderne”. Por janë të disiplinuar dhe në gjendje të kontrollojnë veprimet, mendimet dhe fjalët e tyre.

E zeza

Shumë psikologë bien dakord në këtë pikë. Ngjyra e zezë zgjidhet nga personat misteriozë. Ndonjëherë edhe personat rreth tyre nuk arrijnë ta kuptojnë se çfarë po ndodh me ta. Shpesh persona të tillë mbajnë njëfarë distance me të gjithë ambientin përreth. Nga ana tjetër, ngjyra e zezë flet edhe për shijet që kanë këta persona në shumë aspekte, jo vetëm në veshje.

E bardha

Simbol i pastërtisë, shpresës dhe perfeksionit. Kjo ngjyrë zgjidhet nga personat e sinqertë dhe të përmbajtur në çdo gjë, nga mendimet e deri tek paraqitja e tyre. E shikojnë botën nga prizmi i drejtësisë dhe nuk mund të rrinë pa ndërhyrë, kur shohin se dikush ofendohet pa mëshirë. Këta janë persona “luftëtarë” që i mbrojnë gjithnjë të drejtat dhe interesat e atyre që përulen dhe fyhen prej të tjerëve.

Ndonjëherë njerëzit nuk kanë vetëm një ngjyrë të preferuar, por kanë disa në të njëjtën kohë. Kjo është diçka e natyrshme, sepse shumë persona ndryshojnë në sajë të situatave specifike që u ndodhin në jetë.