Një ngjarje kriminale është parandaluar pasditen e sotme në Tiranë, pasi dy persona fillimisht janë përleshur me grushte dhe më pas situata, është rënduar deri në atë masë sa njëri nga personat, ka marrë makinën dhe ka goditur me të automjetin e personit tjetër.
Pamjet e kësaj përplasjeje janë publikuar nga Ora News ku fatmirësisht situata e nxehtë, është zgjidhur falë një agjenti policie, që është ndodhur krejt rastësisht në vendngjarje.
Në pamjet filmike duket efektivi i policisë që ka parë të gjithë situatën, përplasjen fizike dhe më pas përplasjen e dy automjeteve, ku personi me bluzë të kuqe në mënyrë të vazhdueshme ka dashur ta godasë me makinën personin tjetër.
Pikërisht ky është momenti kur punonjësi i policisë i veshur civil, ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka ndërhyrë menjëherë me qëllim neutralizimin dhe arrestimin e tij.
Punonjësi i policisë ka kërkuar që ta ulë në tokë, por personi me bluzë të kuqe nuk i është bindur, derisa në vendngjarje kanë shkuar punonjës të tjerë të policisë, të cilët kanë arritur t’i vendosin prangat.
Kjo përplasje fizike dhe goditja me makinë është parë nga shumë persona, banorë që jetojnë nga dy anët e bulevardit “Migjeni” në Yzberisht.