Kryesocialisti Edi Rama ka sulmuar ashpër Presidentin Ilir Meta se po tenton që të tensionojë dhe të destabilizojë fushatën elektorale.
Gjatë një takimi me banorë të Njësisë 5 në kryeqytet, Rama foli për plagosjen në zyrën elektorale të PD-së në Kavajë, për të cilën tha se nuk ka sfond politik. Ndërsa prezencën e Metës në Kavajë e konsideroi si “fushatë idioteske të tensionimit” të situatës.
Kurse kryedemokratit Lulzim Basha i kërkoi që të mos politizojë ngjarjen e Kavajës.
“Dje ndodhi një ngjarje e papëlqyeshme dhe e patolerueshme. E papëlqyeshme se ndodhi në sfondin e politikës së ditës dhe fushatës që s’kishte asnjë lidhje me vetë ngjarjen. Nuk kisha pikë dyshimi që cilado të ishte e vërteta ata që flasin për ndryshimin do të rendin atje për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë, për të drejtuar gishtin e akuzës më ekstreme ndaj meje dhe ndaj nesh pa pritur as 1 orë që ngjarja të kuptohej se çfarë ishte. Unë pa pritur as 1 minut thashë atë që në fakt duhet ta thotë në këto raste kushdo që është serioz, që ngjarja është e patolerueshme, që autori duhet çuar menjëherë përpara drejtësisë. Lulzim Basha nuk duhet ta politizojë ngjarjen, ndërsa Ilir Meta duhet ta ndali fushatën e tij idioteske të tensionimit. Sot gjithçka është e zbardhur. Autori jo vetëm që nuk ka lidhje me PS apo me fushatën tonë, por është një militant i PD në një sherr për arsye që nuk kanë asnjë lidhje me politikën. Natyrisht mund të ishte e kundërta, të ishte militant i PS që për të njëjtin sherr të kishte bërë atë akt absurd, por siç nuk do të fajësonte PS edhe tjetra nuk e fajëson PD për aktin. Por PD është e fajësueshme për politizimin skandaloz që është po aq i keq sa ajo ngjarje sepse në atë ngjarje është plagosur një njeri, ndërsa politizimi plagos të gjithë shoqërinë. Është bërë një vepër penale, ndërsa politizimi i kësaj ngjarje është një tjetër vepër e shëmtuar morale. Si mundet të jesh zëdhënësi i ndryshimit dhe thjesht të vazhdosh të zgjasësh zinxhirin e veprave të shëmtuara morale që e kanë përfaqësuar lidershipin e asaj partie gjithnjë. Ku ndryshon Lulzim Basha nga Sali Berisha? Berisha është një karakter i mbrapsht, ndërkohë që Lulzim Basha është një karakter i dobët, një lider pa karakter që nuk është lider por vetëm ndjekës i asaj vije sjellje. Ilir Meta rendi atje për ta bërë lajmin në vazhdën e absurditeteve të tij që kanë vetëm një qëllim, ta tensionojnë maksimalisht fushatën elektorale, të nxisin maksimalisht përplasje të stimulojnë sherr dhe ndasi. Imagjino sikur ta hiqnin IIir Metën nga kjo fushatë? Do të ishte një fushatë krejt normale për hir të së vërtetës. Është kjo qetësi që e tërbon Ilir Metën”.
Ndërsa për Lulzim Bashën, Rama tha se gjuha e tij e fushatës nuk ka ndasi dhe urrejtje, por tensionimin e situatës, sipas tij, e shkakton Presidenti Ilir Meta.
“Gjuha e Lulit nuk ka urrejtje. Është Ilir Meta që çdo ditë vë fitila ngado dhe përdor gjithçka për ta destabilizuar fushatën sepse Ilir Meta e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë më 25 Prill, Ilir Meta e di shumë mirë se votat në kuti për PS do të pikojnë njësoj si ky shi mbi kokat tona. Ilir Meta e di shumë mirë që aq sa ne sot mund të ndalonim shiun, aq mund të ndalë Ilir Meta fitoren e PS me një breshër votash nga veriu në jug në çdo kuti”.
Strategjitë e Ilir Metës thotë se arrin t’i mendojë paraprakisht.
“E di si ja njoh unë mendjen Ilir Metës? Po të doni ja u them në këtë moment çfarë mendon Ilir Meta. Dhe nëse do të bashkëpunoj me Pandin jam në gjendje t’ju them çfarë do mendojë Ilir Meta nesër në të njëjtën orë. O Ilir, dëgjo vajzën shko në shtëpi”.