Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka dërguar sot një mesazh të gjithë numëruesve. Në një deklaratë për mediat kreu i KQZ tha se institucioni që ai drejton ka marrë të gjitha masat që vota për kandidatët të mos kthehet në një pazar elektoral.
Celibashi u shpreh se KQZ ka të gjitha filmimet e numërimeve dhe do të ketë ndëshkime për të gjitha ata që shkelin ligjin.
“Për sa i përket numërimit të votave për kandidatët KQZ ka marrë të gjitha masat që të mos shndërrohet në pazar elektoral. Çdo komisioner do të ketë ndëshkime penale për të gjitha ata që do të tjetërsojnë votat. KQZ ka filmimet të të gjitha qendrat e numërimit dhe ne do t’ua japim të gjitha partive që më pas t’u jepen kandidatëve. Kushdo kandidat që nuk do të marrë pamjet nga partia, mund t’i tërheq në KQZ“, tha Celibashi.
Për sa i përket vonesave në numërime, Celibashi u shpreh se është besimplotë që do të ketë një ecuri të mirë, por tha se të gjitha ata komisionerë që kërkojnë pushim do të ketë një vlerësim rast pas rasti sipas ligjeve që janë fuqi.