Ambasadorja Yuri Kim ka reaguar në rrjetet sociale pas njoftimit të SPAK-ut për nisjen e disa hetimeve të tjera për krime elektorale. Kim shkruan se ata që pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm duhet që të dënohen pasi askush nuk është mbi ligjin.
“Shumë mirë që të shohim njoftimin e SPAK për hetimin e krimeve elektorale. Kuptoj që edhe prokurorët do të bëjnë të njëjtën gjë. Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirisht dhe në paqe duhet të ndiqet penalisht. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasadorja Kim.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar sot se po hetohet të gjitha denoncimet që janë bërë lidhur me procesin zgjedhor. SPAK në një njoftim për mediat, siguron të gjithë denoncuesit se hetimet do të kryhen me përparësi, deri në sqarimin e plotë të rrethanave.
Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme janë në hetim 33 procedime penale, të cilët janë regjistruar: 27 procedime penale për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 Kodi Penal; 2 procedime penale për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b Kodi Penal.