Politika Balla: Basha t’i bashkohet nismës për shkarkimin e Metës. Nuk e duam...

Balla: Basha t’i bashkohet nismës për shkarkimin e Metës. Nuk e duam Presidencën

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka deklaruar këtë të premte në Kuvend se do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do të marrë në fund vendimin përfundimtar nëse duhet shkarkuar Meta apo jo. Kreu i grupit parlamentar socialist i bëri thirrje edhe Lulzim Bashës që t’i bashkohet kësaj nisme moralisht.

“Dua ta bëj të qartë që procedura për shkarkimin e tij është procedurë për shkarkimin e turpi nga kurrizi i shqiptarëve duke ia referuar këtë rast Gjykatës Kushtetutës e cila do të jetë ajo në fund të këtij procesi që do të marrë vendimin përfundimtar. Thirrja për anën e djathtë në këta sallë është thirrja që Shqipëria ka për t’u shkarkuar nga ky turp. Thirrja ime shkon përveç opozitës parlamentare shkon për PD dhe personalisht Lulzim Bashën. Tashmë PD ka në këtë sallë deputetë që garuan në emër të PD më 25 Prill. Do të  ishte dinjitoze që opozita e PD-së t’i bashkohej kësaj iniciative moralisht”, tha Balla.

Balla u shpreh se mazhoranca nuk kërkon që të marrë pozicionin e Presidentit. Procedura sipas Ballës për të shkarkuar Presidentin është detyrë morale dhe kushtetuese për deputetët. Balla deklaroi se me qëndrimet që ka mbajtur ndaj SHBA-së, Meta duhet të dalë menjëherë në lirim edhe në detyrën që mban si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

“Dua të rishpreh edhe njëherë sot, atë që thashë 3 ditë më parë në këtë foltore. Ne nuk po kërkojmë shkarkimin e Metës e kemi interes specifik se kush do të jetë pasardhësi i Ilir Metës apo se ne duam të vendosim në pozicionin e Presidentit të Republikës një përfaqësues tonë. Rrini të qetë, nuk është ky aspak qëllimi ynë. Procedura për shkarkimin është detyrim sa moral aq dhe kushtetues për t’i hequr sa më parë turpin nga vetja dhe nga emri i Shqipërisë dhe për t’ia lënë turpin në derë atij që i takon. Skandalet publike të  Metës me thirrjet për dhunë dhe me qëndrimin turpërues ndaj SHBA-së, aleatit tonë strategjik, makthet se SHBA do ta vrasë me raketë në Malin me Gropa, krahasimet apo vendosja përballë aeroplanmbajtësve ruse, koreanoveriore si një alternativë përballë SHBA janë të mjaftueshme që Komandanti i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura të dalë menjëherë në lirim, me urgjencë madje. Menjëherë! Nëse ne nuk do ta bëjmë këtë shkarkim, ne deputetët, si institucioni që e ka zgjedhur kryetarin e shtetit mosveprimi ynë do të shkonte në limitet e shpërdorimit të detyrës nga ana jonë në kushtet e heshtjesh dhe mosveprimit përballë akteve të rënda antikushtetuese dhe antiligjore. Nëse Kuvendi nuk do të merrte asnjë procedurë shkarkimi dhe do të vazhdonte të lejonte të qëndrojë në presidencë një person me këto akte të rënda skandaloze do të ishte minimalisht nga ana jonë moskallëzim para drejtësisë. Historia na gjykoftë të gjithëve edhe ne si Kuvend, edhe Presidentin në shkarkim”, tha Balla.

Balla tha se Presidenti Ilir Meta “ka përdhunuar në mënyrë banale” institucionin e kreut të shtetit.

“Kurrë institucioni i kryetarit të shtetit nuk është përdhunuar në mënyrë kaq banale nga askush më parë në këto 30 vite. Kemi patur President që i ka shpallur luftë popullit, kemi pasur President që kanë shkaktuar debate edhe për mustaqet e tyre, por kurrë nuk kemi pasur një President kaq banal që të na poshtërojë si popull duke qenë i zgjedhur nga Kuvendi, në emër të popullit”, u shpreh Balla.