Kryesore Arsyetimi për shkarkimin e Metës: Na turpëroi para botës

Arsyetimi për shkarkimin e Metës: Na turpëroi para botës

Në një raport paraprak në lidhje me arsyet e shkarkimit të Metës nga posti i Presidentit të Republikës, thuhet se “aktet e Presidentit konsistojnë në sjellje dhe në mesazhet e tij publike në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit, të papajtueshme në cilësinë e kreut të shtetit, të cilat nuk përkojnë me rolin e tij përfaqësues dhe ekuilibrues në jetën e vendit.

Në abuzim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, si dhe në kushtet e shkeljes së rëndë dhe flagrante të Kushtetutës, Presidenti para, gjatë dhe pas periudhës së fushatës zgjedhore të vitit 2021, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore, me veprime, sjellje dhe mesazhe të dhëna në publik nuk ka garantuar unitetin kombëtar, nuk ka moderuar konfliktin politik, po përkundrazi, e ka nxitur atë me terma të tillë, që si pasojë kanë sjellë edhe organizime të ndryshme në publik, të cilat në fakt nxisnin dhunë, urrejtje, e deri edhe situata vetëgjyqësie.

Deklaratat e mesazhet e intensifikuara të Presidentit, që qartazi favorizonin parti opozitare, e njëkohësisht denigronin maxhorancën, cenuan rëndë barazinë e konkurrimit politik dhe shkelën paanësinë politike, që Kushtetuta i ka veshur Presidentit të Republikës.

Mesazhet e dhëna nga ana e Presidentit, qoftë në rrjetet sociale, qoftë në të gjitha burimet e informacionit, në media, në televizione apo në shtypin e shkruar e që më pas janë shpërndarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit, me etiketime të Presidentit ndaj figurave të larta shtetërore, si Kryeministri, deputetë, drejtues politikë të maxhorancës në qarqe të caktuara, mesazhe denigruese ndaj përfaqësuesve të lartë të misioneve diplomatike në Shqipëri, të cilët janë cilësuar nga Presidenti si persona të shitur apo të blerë nga maxhoranca e Kryeministri, kanë ulur besueshmërinë e Presidentit si përfaqësues i unitetit të kombit, si një entitet unik që ka në funksionin e vet promovimin e imazhit dhe reputacionit të kombit të tij, si brenda ashtu dhe jashtë vendit”.

Me këtë arsyetim, Kuvendi po bëhet gati ta shkarkojë Metën, ku në proces është krijimi i një komisioni hetimor posaçërisht për këtë gjë.

Në raport i vihet theksi dhe faktit se Meta, me deklarimet e qëndrimet e tij ka dëmtuar dhe raportet e Shqipërisë me SHBA.

“Të publikuara e të shpërndara edhe në media të huaja, këto mesazhe kanë cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas kërkesës së deputetëve të gjitha aktet e kryera nga Presidenti janë në kundërshtim edhe me detyrimet ligjore për etikën e funksionarit të lartë shtetëror, e njëkohësisht denigrojnë edhe vetë figurën e institucionit të Presidentit”, thuhet në raport.

Sipas hartuesve të raportit, “përveç shkeljeve të Kushtetutës, që radhiten këtu, ka të bëjë edhe me vlerësimin për të rikthyer në ligjshmëri institucionin e Presidentit. Këtu nuk është vënë theksi vetëm te deklaratat e Presidentit, të cilat kanë cenuar paanësinë politike dhe kanë qenë shkelje e parimit të unitetit të popullit, por edhe në faktin tjetër, se me këto deklarata, me këto akte, me këto sjellje, është denigruar edhe figura e institucionit të Presidentit të Republikës, pavarësisht se kush e mban atë detyrë”.