Bota Britania hap hetim të pavarur për punën e qeverisë ndaj Covid-19

Britania hap hetim të pavarur për punën e qeverisë ndaj Covid-19

Një hetim i pavarur publik për trajtimin e pandemisë së koronavirusit do të nisë në pranverën e vitit  2022. Lajmin e ka dhënë kryeministri Boris Johnson para deputetëve gjatë një fjalimi në Dhomën e Ulët të Parlamentit.

Ai tha se qeveria do të nisë një konsultë mbi termat e saj të referencës.

Johnson tha “ne duhet të nxjerrim mësime” dhe se administratat e Mbretërisë së Bashkuar do të konsultoheshin për hetimin.

Lideri laburist Sir Keir Starmer i kërkoi qeverisë që të konsultohet me familjet e prekura në momentin më të hershëm.

Johnson u akuzua nga kundërshtarët se ka reaguar shumë ngadalë ndaj krizës, veçanërisht në fillim, duke dështuar në furnizimin me mjete mbrojtëse dhe mungesë testimi.

Një ditë më parë kryeministri britanik njoftoi disa nga masat lehtësuese të pandemisë së koronavirusit, ndërkohë që Britania e Madhe është vendi me më shumë të vaksinuar në Evropë, ndërsa numri i rasteve dhe vdekjeve është ulur ndjeshëm.