Aktualitet “15 vite burg kush ndërton pa leje”, Bledi Çuçi: Harrojeni celularin tim

“15 vite burg kush ndërton pa leje”, Bledi Çuçi: Harrojeni celularin tim

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi gjatë një takimi për ndërtimet pa leje ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, deklaroi se do të krijohet një strukturë e përbashkët mes policisë së shtetit dhe inspektorëve për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas Çuçit, që nga sot punonjësit e policisë do të kenë përgjegjësinë direkte për dhunimin e territorit.

“Nuk dua të zgjatem shumë, por dua t’i kujtoj të gjithë ata dhunues, që nga veriu dhe deri në skajin më jugor të Shqipërisë që do përballen me forcën e ligjit si asnjëherë tjetër. Ta harrojnë celularin e Ministrit të Brendshëm. Kushdo qoftë sado i pasur, sado i mbrojtur që mendon se do jetë, nuk do të tolerohet më dhunë mbi territorin”, u shpreh Çuçi.

Ministri i Brendshëm theksoi se do të dënohet me 15 vite burg kushdo që ndërton pa leje.

“Po ju kujtoj që shkon deri në 15 vjet dënimi sipas shkallës nga Kodi Penal për ndërtime pa leje. Dhe po ju them edhe njëherë dëgjojeni, fiksojeni mirë këtë gjë, sepse nuk do ketë më tolerime”, përfundoi ministri i Brendshëm.