Aktualitet Vrasja makabre e 20-vjeçares në Athinë, arrestohet një person i dyshuar

Vrasja makabre e 20-vjeçares në Athinë, arrestohet një person i dyshuar

Autoritetet greke kanë vënë në pranga një person, i cili dyshohet se është një nga autorët e grabitjes dhe më pas vrasjes së 20-vjeçares me origjinë britanike në Athinë, Caroline Crouch.

Identiteti i personit të arrestuar nuk është bërë i ditur, por sipas “Daily Mail”, ai është një shtetas gjeorgjian i kapur pranë kufirit me Bullgarinë. Ai dyshohet se është një nga autorët e një tjetër grabitje të dhunshme në një shtëpi në Athinë, pranë vendit ku u vra Caroline Crouch, në sytë e vajzës së saj 11-muajshe. Burime nga policia kanë bërë të ditur se analizat e ADN-së tregojnë se ai është një nga 5 personat që lidhën çiftin dhe pastruesen e tyre në një tjetër ngjarje të ndodhur në 7 mars.

Kjo shtëpi është vetëm 20 minuta larg nga Glyka Nera, ku u vra Caroline, ndërsa bashkëshorti i saj u lidh nga autorët për të mos reaguar.

Policia ka ofruar 300 mijë euro shpërblim për ata që do të ofrojnë informacione mbi autorët e ngjarjes së ndodhur ne periferi të Athinës.