Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, tha këtë të premte se dy ditët e fundit kemi parë zhvillime domethënëse duke iu referuar vendimit për shpalljen “non grata” të ish-kryeministri Sali Berisha dhe dënimit me burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
“Mendoj si ambasadore e SHBA-së do të doja të shikoja më shumë mundësi zhvillim ekonomik për vendin sepse Shqipëria është vend i shkëlqyer. Kjo është diçka për të cilën duhet të punojmë së bashku. Unë kam pjesën time, ju keni rolin tuaj. Shumë prej kësaj lidhet me demokracinë dhe me shtetin ligjor. Keni parë zhvillime domethënëse dje dhe një ditë më parë, të cilat duhet të vazhdojnë. Këto janë zhvillime pozitive të cilat duhet të vazhdojnë”, tha ambasadorja Yuri Kim.
Ajo tha se ditët e pandëshkueshmërisë duhet të vijnë në fund dhe askush nuk mund të vijë mbi ligjin.
Gazetarja: Është Berisha i pari nga peshqit e mëdhenj që shpeshherë është përmendur nga SHBA?
Yuri Kim: Mesazhi është ky, Shqipëria po ndryshon, Shqipëria është anëtare e NATO-s. Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së. Shqipëria është një aleate dhe mike e SHBA. Shteti ligjor duhet të mbizotërojë. Duhet të jetë një vend një pastër, ky duhet të jetë një vend i pasur. Për të arritur atje askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të vijnë në një fund dhe të gjithë duhet të punojmë së bashku. Ky nuk është një projekt i SHBA, ky nuk është thjesht projekt i juaji, por është projekt që së bashku mund ta bëjmë. Le të vazhdojmë të bëjmë progres”, tha ambasadorja.
Ambasadorja Kim u pyet se çfarë roli ka pasur në vendimin që futi në listën e zezë ish-Kryeministrin Berisha, por nuk komentoi. “Nuk kam asgjë për të shtuar përveç asaj që ka thënë sekretari Blinken”, tha ambasadorja. Ajo u pyet edhe rreth padisë që Berisha ka paralajmëruar se do të ngrejë ndaj Blinken, por nuk e komentoi pasi tha se nuk kishte dijeni rreth saj.
Kim ndodhej në Vlorë ku pa nga afër stërvitjen e përbashkët ushtarake “Defender Europe 21″.