Një çift shqiptarësh është arrestuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali. Ata u vunë në pranga mbrëmjen e së mërkurës. Bëhet fjalë për burrë e grua, respektivisht 66 dhe 55 vjeç, të cilët kanë banuar në Sarzana për një periudhë kohore.
Të dy në fakt kanë qenë të dënuar nga gjykata. Gruaja duhet që të vuajë 5 vjet burg dënim dhe 1 mijë Euro gjobë, ndërsa burri u shpall fajtor për dhunë të vazhduar dhe të agravuar seksuale. Ai duhet të vuajë dënimin me 12 vjet burg dhe pagimin e një gjobe prej 4 mijë Eurosh.
Gruaja u kap në një fushë në dalje të bashkisë së Aulla. Disa orë më vonë ata mundën të arrestonin edhe burrin. Siç shkruajnë mediat, me shumë mundësi ata do të përpiqeshin të arratiseshin e të fshiheshin, por përpjekja u dështoi.
Historia e tyre me drejtësinë nis në vitin 2009. Në Dhjetor asokohe, një vajzë e re shqiptare denoncoi çiftin. Ajo kishte shkuar në Itali pasi ata i kishin premtuar një jetë më të mirë, me shumë mundësi të punonte si kujdestare për të mbajtur bashkëshortin dhe 3 vajzat e vogla që jetonin në Shqipëri. Por sapo kishte arritur atje, ëndrrat iu shuan, pasi u detyrua që të prostituonte në provincën e La Spezia-s.
Pas këtij denoncimi, policia nisi hetimet ku u zbulua se çifti fshihej pas këtij shfrytëzimi. Çdo gjë ishte organizuar në detaje. Madje kur të ardhurat nuk ishin të mjaftueshme, ata e rrihnin vajzën.
E reja kishte jetuar prej kohësh nën terror, aq sa nuk i kishte rrëfyer asgjë edhe bashkëshortit, të cilin e kishte në Shqipëri. Pas kallëzimit, karabinierët e Sarzanas realizuan hetimet, rezultatet e të cilave u konfirmuan në disa nivele të gjykatave, duke kulmuar me një dënim të rëndë ndaj çiftit.