Politika Kadilli, zyrtarisht kandidat për kreun e PD-së: Pse ndihem më superior se...

Kadilli, zyrtarisht kandidat për kreun e PD-së: Pse ndihem më superior se sa kryetari në zyrë

Fatbardh Kadilli dorëzoi këtë të premte në selinë blu kandidaturën zyrtare për zgjedhjet për kryetar për Partinë Demokratike.

Në dalje të selisë, Kadilli pati një prononcim për mediat, ku tha se mjetet e vëna në dispozicion kundër Ramës tani do të kthehen kundër tij nga ana e Bashës, të cilën e konsideron si “kryetari që nuk del nga zyra”.

Ai u shpreh se është futur në garë për t’i shërbyer PD-së dhe jo për të përfituar.

“Një moment kthese, dhe ndonëse është një garë asimetrike sa i përket mjeteve në dispozicion të kandidatëve, kryetari në zyrë nuk del as nga zyra dhe ka në dispozicion të gjitha mjetet që ishin konceptuar, organizuar për të kundërshtuar Edi Ramën. Sot do të jenë përballë meje si kandidat. Por ka dhe një asimetri tjetër. Është asimetria morale, për të cilën ndihem shumë herë më superior se sa kryetari në zyrë. Vij në këtë garë për t’i shërbyer PD dhe jo për t’u shërbyer PD. Vij në këtë garë duke u ballafaquar me vlerat. Vlerat e mia janë pastërtia, personale dhe politike, integriteti politik, përvoja. Zotësia për t mbajtur fjalën e dhënë. Aftësia e demonstruar në 30 vjet të jetës sime në PD për të qenë luajal, besnik me PD dhe çdo figurë të saj. Jam njeriu që e mbaj fjalën. Nuk kam tradhtuar kurrë PD. Nuk kam tradhtuar askënd në PD dhe nuk do e tradhtoj kurrë. Nuk do të tradhtoj asnjë nga demokratët as në këtë proces duke e çuar deri në fund përpjekjen për ta ringritur PD, për ta bërë të pastër, të hapur, të bashkuar dhe fituese”, tha Kadilli.