Gjykata e Korçës ka dënuar të hënën me 25 vite burg shtetasin Olger Mustafa, i akuzuar për vrasjen e ndodhur më 17 janar 2019 ndaj shtetasit Altin Balliu.
Në dosjen hetimore thuhet se i pandehuri, Olger Mustafa e ka qëlluar viktimën me 5 plumba, i cili humbi jetën në vendin e ngjarjes.
Në seancën e mëparshme, prokurori i çështjes Edmond Shytko ka bërë ndryshimin e akuzën për të pandehurin Mustafa, nga “Vrasje me paramendim”, e akuzoi Mustafën për veprën penale të “Vrasjes me dashje”.
Duke u mbështetur në këtë akuzë, prokurori Shytko i kërkoi gjykatës së Korçës, dënimin me 22 vite burgim, për të pandehurin Olger Mustafa.
Kjo masë dënimi u kërkua nga prokurori, duke llogaritur dhe akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.
Por, ndryshe nga çfarë kërkoi organi i akuzës, nga shqyrtimi i çështjes, Gjykata ka dalë në konkluzion se Olger Mustafa ka kryer një vrasje “me paramendim” dhe për këtë, e ka dënuar të pandehurin me 25 vite burg.
Familjarët e viktimës kanë akuzuar prokurorin si “të shitur” duke thënë se do të ankimojnë vendimin, pasi këkrojnë dënim të përjetshëm. Ata kanë hedhur akuza të forta në drejtim të prokurorit, madje sipas tyre ai nuk ishte i pranishëm në Gjykatë, pasi është larguar nga SHBA nga frika e një arrestimi të mundshëm.
Më 17 janar 2019 viktima po festonte me shoqërinë e tij ndërrimin e viteve, por festa u kthye në tragjedi. Pas një sherri për gërvishtjen e një makine, Olger Mustafa, një i dënuar për “vrasje me paramendim të mbetur në tentativë” i liruar me kusht nga gjykata, i mori jetën Altin Balliut.