Hansi Flick do të jetë trajneri i përfaqësueses gjermane të futbollit pas Kampionatit Europian që do të zhvillohet këtë verë.
Ish-trajneri i Bayern München dhe drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit nënshkruan të martën marrëveshjen duke zyrtarizuar kështu një lajm që përflitej prej disa javësh.
Flick, i cili fitoi çdo trofe të mundshëm me Bayern sezonin e kaluar, ndërpreu me konsensus marrëdhënien me klubin gjerman këtë sezon. Ndërsa trajneri i Gjermanisë, Joachim Low, njoftoi muaj më parë se do të largohej nga drejtimi i kombëtares pas përfundimit të Europianit.
Flick ka qenë ndihmësi i Low nga viti 2006 deri në vitin 2014. Pas fitores në Kupën e Botës, u bë drejtor sportiv i DFB-së deri në vitin 2017.