Padia e kryeministrit Edi Rama për mosdekretimin e ministrave të tij nga ana e Presidentit Ilir Meta. Ishte kjo një nga çështjet e para të diskutuara dhe të debatuara mes kreut të shtetit dhe kreut të qeverisë që u mor në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Pas seancës së zhvilluar më 18 Maj, gjykatësit kushtetuese kanë dalë me një vendim ku kanë pranuar pjesërisht kërkesën e kryeministrit.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet kryeministrit dhe Presidentit të vendit.
Gjykata Kushtetuese ka bërë një interpretim të nenit 98, ku thotë se në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
“Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme. Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantojë përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion. Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi”, thuhet në vendim.
Pritet që në vijim Gjykata Kushtetuese të nxjerrë arsyetimin e këtij vendimi.