Kryesore Berisha “non grata”, vjen reagimi i parë i Ramës

Berisha “non grata”, vjen reagimi i parë i Ramës

Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që e ka shpallur “non grata” ish-Kryeministrin Sali Berisha.

I pyetur nga gazetarët, Rama refuzoi që të bënte koment për këtë pjesë, duke thënë se është i fokusuar te puna dhe mandati i tretë qeverisës. Ai theksoi se do të ndryshojë mënyrën e komunikimit publik në lidhje me politikën, të cilën e cilësoi si “telenovelë” gjatë gjithë këtyre viteve.

“Jam 100% i fokusuar sepse s’ka kohë për pushim dhe jam shumë i vendosur që të çelim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik dhe për këtë arsye të shmangim të gjitha ato aspekte që e kanë kthyer për shumë vite jetën politike të vendit në një telenovelë rraskapitëse për njerëzit. Për mua ka më tepër rëndësi sa vaksina kryhen gjatë ditës, ne jemi duke punuar intensivisht për mandatin e tretë dhe do të dalim përpara shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete në Kongresin tonë të 12 Qershorit”, deklaroi Edi Rama nga sheshi Skënderbej në Tiranë ku ndoqi procesin e vaksinimit të punonjësve të transportit publik.

Javën e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli person të padëshiruar ish-Kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, me akuzat se ka minuar demokracinë në vend.