Aktualitet Nesër mblidhet Komiteti Teknik, Rama: Do ketë lehtësim të masave

Nesër mblidhet Komiteti Teknik, Rama: Do ketë lehtësim të masave

Komiteti Teknik i Ekspertëve do të mblidhet ditën e nesërme për të vendosur për lehtësimin e masave të pandemisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeministri Edi Rama, i cili tha se lehtësimi i masave do të bëhet për të pasur një sezon turistik pa kufizime.

“Nesër komiteti do të dalë me planin e ri me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për të pasur sezon turistik më të lehtësuar besoj që do të përmbushet”, tha Rama nga sheshi Skënderbej ku ndoqi nga afër procesin e vaksinimit të punonjësve të transportit publik.

Kryeministri Rama u pyet nga gazetarët edhe për shpalljen nga SHBA “non grata” të Sali Berishës, por refuzoi që të bënte një koment.

“Jam 100% i fokusuar sepse s’ka kohë për pushim dhe jam shumë i vendosur që të çelim një rrugë të re në aspektin e komunikimit publik dhe për këtë arsye të shmangim të gjitha ato aspekte që e kanë kthyer për shumë vite jetën politike të vendit në një telenovelë rraskapitëse për njerëzit. Për mua ka më tepër rëndësi sa vaksina kryhen gjatë ditës, ne jemi duke punuar intensivisht për mandatin e tretë dhe do të dalim përpara shqiptarëve me programin e angazhimeve konkrete në Kongresin tonë të 12 Qershorit”, deklaroi Edi Rama.