Kryeministri Edi Rama priti sot në një takim ministrin gjerman për Europën, Michael Roth, ndërsa më pas mbajtën edhe një konferencë të përbashkët.
Rama falënderoi personalisht Roth dhe më pas edhe Gjermaninë për mbështetjen e dhënë në rrugën e integrimit për Shqipërinë. Më pas theksoi se vendi ynë i ka kryer detyrat e shtëpisë dhe tashmë BE duhet të thërrasë konferencën e parë ndërqeveritare.
“Michael Roth është një mik i çmuar i shqiptarëve dhe një avokat i zëshëm i rrugëtimit europian të të gjithë rajonit tonë. Kjo vizitë përkon me një kohë jo të parëndësishme, në prag të një tjetër takimi të Këshillit Europian për një vendimmarrje të rëndësishme lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më vjen shumë mirë, pasi sot të gjithë shprehen se Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e veta dhe miratimi i kornizës negociuese, bazuar në vendimin e marrë për çeljen e negociatave dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, është thjesht një çështje e brendshme e Këshillit Europian, në një moment kur Këshilli ndeshet me një surprizë, me ngërçin Maqedoni e Veriut-Bullgari.
Ne duhet të hapim menjëherë procesin dhe BE duhet të zbatojë vendimin që ka marrë duke zbatuar kornizën negociuese dhe duke thirrur konferencën e parë ndërqeveritare. A do të ndodhë kështu? Këtë ne nuk e dimë, pasi varet nga sa do të zgjidhet ngërçi mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. E rëndësishme është se sot ne kemi një mbështetje të zëshme dhe të përgjithshme nga të gjitha vendet dhe posaçërisht nga Gjermania për të ecur më tej”, tha Rama.