Ajo është një figurë e fshehur në mister, e portretizuar gjatë viteve si një prostitutë, gruaja që shkeli kurorën, një objekt i nderimit, madje edhe si gruaja e Krishtit. Në librin e tij të ri Michael Haag ndjek Maria Magdalenën gjatë shekujve, duke eksploruar se si ajo është riinterpretuar në çdo shekull.
Nga Emma Mason
Sipas ungjijve Maria Magdalena gjendej me Jezusin në Galile, ku ai predikonte mbretërinë e Perëndisë për mijëra njerëz, dhe shëronte të sëmurët e të çalët. Dhe ajo e shoqëroi Jezusin në udhëtimin e tij në Jeruzalem, duke hyrë në qytetin e shenjtë, në përputhje me profecinë e Dhjatës së Vjetër, “i përulur dhe i hipur mbi një gomar”. Maria Magdalena ishte atje kur turmat e përshëndetën Jezusin, duke tundur degë palmash, shtruar rrobat e tyre para tij dhe duke thirrur plot gëzim “Hosana” (një thinje e përdorur për të shprehur nderim apo gëzim).
Kur romakët e gozhduan Jezusin në kryq, dhe kur i braktisur nga dishepujt e vet, ai filloi të bërtasë: “Zoti im, Zoti im, pse më ke braktisur?”, Maria Magdalena ishte atje.
Dhe kur vdiq, Maria Magdalena ishte pjesë e procesionit mortor, teksa trupi u vendos në një varr që u mbull me një gur të madh. Maria Magdalena ndodhej pra në kryqëzimin e Jezusit, në varrimin e tij, dhe më herët ajo ishte me Jezusin gjatë gjithë shërbimit të tij në Galile. Si një grua dhe mike e Jezusit, ishte i vetmi person i afërt i tij në momentet kritike të cilat të përcaktuan qëllimin e saj:të përshkruante fatin e tij.
Dhe ishte sërish Maria Magdalena, e cila shkoi tek varri i Jezusit në ditën e tretë dhe zbuloi se ai ishte bosh. Varianti më i hershëm i Markut, ungjillit të vjetër, thotë se jo më shumë se kaq. Ai nuk thotë asgjë për ringjalljen, dhe as për rishfaqjen e Jezusit dishepujve të tij. I gjithë misteri i krishterimit fillon në momentin fillestar kur Maria Magdalena qëndroi e vetme në varrin e zbrazët.
Ky mister, me sugjerimin e intimitetit, është i lidhur me natyrën e vizionit të Maria Magdalenës – atë të mbretërisë së Perëndisë, që ajo ndante me Jezusin. Pyetja që atëherë u ngrit prej atëherë është se sa prej atij vizioni është shtrembëruar, shtypur ose humbur në polemikat që formësuan fenë e re. Këto përplasje e detyruan Kishën të kontrollojë natyrën vizionare të përvojës së Maria Magdalenës, duke e kthyer atë në një prostitutë.
Dhe as nuk ka qenë një aksident historik që Maria, nëna e Jezusit, e cila pavarësisht nga tregimet lindjes së Krishtit tek Mateu dhe Luka, nuk luan thuajse asnjë rol në Ungjijtë e tjerë dhe në jetën e Jezusit (dhe e cila është konsideruar nga skeptikët e parë dhe kritikët e krishterimit si një grua që kishte shkelur kurorën, ndërsa djalin e saj një bastard) është transformuar nga Kisha (pa ndonjë dëshmi të ungjillit) në një virgjëreshë të pëijetshme dhe Nëna e Zotit.
Vetëm në vitin 1969, gjatë papatit të Palit VI, Vatikani kreu disa ndryshime të matura. Deri atëherë leximi për ditën e festës së Maria Magdalenës në 22 korrik ishte nga kapitulli 7 i ungjillit të Lukës, në të cilën një grua e paidentifikuar hyn në një shtëpi, ku Jezusi është i ftuar në një darkë dhe e poshtëron veten e saj, duke ia larë këmbët me lot dhe fshirë këmbët e tij me flokët e saj. “Dhe ai tha: Mëkatet e tua të janë falur”.
Kjo histori u zëvendësua në vitin 1969 nga një lexim shumë i ndryshëm, këtë herë nga kapitulli 20 i Ungjillit të Gjonit, në të cilën Jezusi ia zbulon veten e tij Maria Magdalenës për herë të parë pas ringjalljes. Ai e thirri, “O grua, pse po qan?”, Dhe më pas ai e thirri emrin e saj, duke thënë: “Maria”, dhe duke njohur atë ajo tha: Rabi, që do të thotë: Mësues”.
Pa bërë një ndjesë të pagabueshme publike, Vatikani duket se thoshte se kishte gabuar në lidhje me Maria Magdalenën për 1400 vjet, që nga viti 591, kur Papa Gregori i Madh mbajti homelinë e tij që konfirmonte triumfin e Marisë, nënës së Perëndisë, duke deklaruar se Maria Magdalena ishte se gruaja mëkatare sipas Lukës, dhe që ai vendosi se duhet të jetë një prostitutë.
Por jo shumë njerëz i kanë kushtuar vëmendje tërheqjes së Vatikanit, apo ndoshta ata thjesht preferojnë një prostitutë për gruan që dëshmoi ringjalljen; ngjarja që qëndron në qendër të fesë dhe që ka formësuar historinë dhe kulturën e pjesës më të madhe të botës për 2000 vitet e fundit.
Në muzikalin Jezu Krishti Superstar (1971), në filmin e vitit 1988 të Martin Skorcezes “Tundimi i fundit”, apo Pasioni i Krishtit i vitit 2004 me regji të Mel Gibsonit, Maria Magdalena është një prostitutë apo shkelëse e kurorës.
Oreksi publik për “Maria Magdalenën prostitutë”, po kompletohet vetëm për “Maria Magdalenën, gruaja e Jezusit” dhe madje edhe si nëna e fëmijës së tij. Dëshmi e kësaj është vëmendja e madhe që media i dha deklaratës së profesorit të Universitetit të Harvardit Karen King në vitin 2012 për zbulimin e një fragmenti të lashtë papirusi, që mban fjalët “Jezusi u tha atyre: Gruaja ime”.
Sigurisht në Mesjetë, Katarët në Francë e cilësonin Maria Magdalenën, si gruan e Jezusit në botën hyjnore dhe si konkubinën e tij në botën e iluzionit – botën që ata besonin se është bota ku jetojmë në jetën tonë të përditshme.
Ndërsa në shekujt e parë të epokës së krishterë, ungjijtë gnostikë e portretizojnë Maria Magdalenë si “mike”, “bashkëshorte” dhe madje edhe “gruaja” e Jezusit, si gruaja që ai donte më shumë se të gjithë dishepujt e tjerë; marrëdhëniet e tyre shpesh herë përshkruhen në terma erotike. Për këtë çështje ka incidente edhe në ungjijtë kanonikë të Dhjatës së Re, të cilat kanë shtyrë disa studiues të pohojnë se Maria Magdalena ishte realisht gruaja e Jezusit. Për disa argumenti nuk është se kjo s’është e vërtetë, por se pse e vërteta ishte fshehur.
Kërkimi për Maria Magdalenën dhe lufta për identitetin e saj, është historia e zhvillimit të krishtërimit, dhe vetë natyra e kulturës dhe shoqërisë sonë.
“History Extra”