Çdo vend, komunitet apo shoqëri, që nga dita e parë e themelit dhe zhvillimit të tyre, ka në themele sakrifica dhe një kontribut të madh, të shumë njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk janë të rastësishëm, por misionerë që e çojnë deri në fund misionin e tyre!
Një prej tyre është edhe mësuesi veteran, Thanas Hoda, i cili së bashku me familjen e tij, kanë banuar dhe punuar në qytetin e Memaliajt, qysh në vitet e para të themelit të saj dhe në vazhdim.
Ai u lind në vitin 1936, në Labovën e Zhapës, me prindër labovitë dhe familje me kontribut patriotik, e cila i ka dhënë LANÇ-re.
Vitet e para të fillores, Thanasi, duhet t’i ketë kryer në vendlindje, ndërsa klasën e pestë e ka kryer në Gjirokastër, me Ismail Kadaren, Muntaz Dhramin, Konstandina Zhongon, Astrit Mezinin, Agim Shehun, …etj. Shkolla e vogël, në të cilën ata mësonin, ka qenë në Lagjjen Varosh.
Në shtator të vitit 1951-ë, fillon studimet për arsimin e mesëm në Gjirokastër, në shkollën e mesme “Asim Zeneli”. Në vitin 1952, pasi mbaroi vitin e parë, shkon në aksion për ndërtimin e një hidrocentrali, që ndërtohej në Malin e Dajtit, ku punonin për shtrirjen e tubave dhe hapjen e tunelit, në faqen e këtij mali, mbi Qafë-Mollë. Ndër mësuesit e tij, që i kanë dhënë mësim, kanë qenë; mësuesi i letërsisë, Luigj Franja, i cili kishte studiuar në Itali. Po në Itali, kishte studiuar edhe bashkëshortja e tij, mësuese Arta Luigji, e cila jepte lëndën e matematikës. Arta, i kishte dhënë lëndën edhe të steriometrisë. Të dy, si mësues në këtë shkollë, kanë punuar me përkushtim, jo vetëm nga ana profesionale si mësues, por edhe me një dashuri prindërore të paparë, për të edukuar brezat e rinj. Ata kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të gjithë nxënësve të tyre, prindërve të këtyre të fundit dhe të gjithë atyre, që i kishin njohur nga bisedat e të tjerëve. Në atë shkollë, kanë dhënë mësim edhe mësues të tjerë të përkushtuar si: Bardhi Shiroka (matematikë), Lori Kiri (biologji), Vehbi Bala, Luigj Bajani, i cili në rekordet e Federatës Shqiptareve të Sporteve, është kampion kombëtar në hedhjen e shtizës. Përkushtimi i këtyre mësuesve, ndikoi shumë në formimin intelektual të Thanas Hoda.
Pas studimeve të larta, në vitin 1959, fillon punë si mësues në shkollën e Memaliajt, midis një numri shumë të vogël mësuesish dhe nxënësish, të cilët, më vonë u bënë më shumë se 2000 mijë nxënës.
Gjyshi, Ilia dhe gjyshia, Panajua, (të Thanasit), sjellin në jetë Sokratin, Qirjakon dhe Mihalin. Dy fëmijët e tyre, Mihali dhe Sokrati, pasi mbaruan studimet në gjimnazin “Zosimenë” të Janinës, së bashku me vëllan e tyre, Qirjakon dhe të dy prindërit, emigruan në Amerikë, ku të gjithë bëhen shtetas amerikanë. Familjes Hoda, u vjen në jetë edhe Aleksi, vëllai më i vogël. Ata banojnë në Bangor City, të shtetit Main, qytet ky, ku babai i tyre, Ilia Hoda, ndërron jetë nga një sëmundje e rëndë dhe po në këtë qytet, vendoset për të gjetur prehjen e shpirtit të tij. Pas vdekjes së babait të tyre, të tre djemtë e tij, Mihali, Sokrati dhe Qirjakua, kthehen në Labovë, së bashku me nënën e tyre Panojan. Mihali, me kursimet e tij që kishte mbledhur në Amerikë, blenë 300 të imta dhe ndërtojnë një stan me të gjitha kushtet, por një nga ata që punonte për Mihalin, e vidhte stanin e Hodajve, që ndodhej lartë në Odire. Pasi e shiti stanin, shkoi në Francë (1929) dhe më vonë në Argjentinë, ku në ato vite po përjetonte një zhvillim të madh, jeton larg nga të afërmit dhe i vetmuar, siç ndodh në shumë raste në emigrim, Mihali, ndërron jetë në vitin 1966-të, dhe trupi i tij, prehet ende në Argjentinë.
Qirjako Ilia Hoda, pasi hapë familje, e ngjallë baban, duke e pagëzuar djalin e tij, me emrin, Ilia. Në jetë i vinë edhe tre fëmijë të tjerë, emrat e të cilëve janë: Ermioni, Izmini dhe Thanasi. Me vitin 1946-të, babai i tij Qirjako Ilia Hoda, arrestohet me akuza të rreme, si bashkëpunëtor me amerikanët dhe grekët! Për këtë, e mbajnë në hetusi për një vit, ku torturohet çnjerëzisht dhe lirohet nga burgu, në vitin 1952. Në këtë vit, ndërron jetë nëna e tij, Panajua, e cila ishte e verbër!
Më pas, familja e Thanasit vendoset me banim në Tiranë dhe babai i tij, Qirjakua, blen një shtëpi në vitin 1956-të, tek rruga “Bajram Curri”, të cilën e kishte nxjerr në shitje, familja Kabaj, nga Dibra.
Të gjithë vendosën të largohen familjarisht dhe të rikthehen në Labovë, ndërsa motrat, Emrioni dhe Izmini, krijuan familjet e tyre të reja. Në këtë kohë, Thanasi ishte beqar dhe punonte mësues në fshtin Sinanaj, të Tepelenës. Në Labovë, banojnë deri më vitin 1966-të, ku babai i Thanasit, Qirjakua, sëmuret rënd dhe ndërron jetë.
Babai i tij, Qirjako Hoda, ka marr pjesë në LANÇ-re, si Kryetar i Këshillit, kontribut ky që iu mohua nga disa bashkëfshatarë të tij mosmirënjohës, të cilët zhvilluan luftën e klasave pikërisht tek ato familje, që i kishin dhënë luftës. Të njëjtin fat, pati edhe djali i Qirjakos, Ilia Hoda, i cili ishte përfshirë me LANÇ-re, që në moshën gjimnaziste, ku bashkë me disa labovitë të tjerë, u morën me organizimin e rinisë në luftën guerrilase, ku ky ishte Sekretar i Rinisë Antifashiste të Labovës së Zhapës.
Ilia Q. Hoda, ishte një djalë shumë inteligjent dhe u fliste vazhdimisht të rinjëve të grupit, për qëllimin e luftës kundra pushtuesve dhe që duhej ta fitonin patjetër, luftën; fitore kjo e shumëpritur nga të gjithë ato vende që po i luftonin me çdo formë, pushtuesit nazisto-fashistë. Babai të tij, Qirjakos, pasi ia mohojnë kontributin e tij, e dënojnë me burgim, siç vepronin në atë kohë dhe më mbrapa; edhe më shumë partizanë të tjerë. Këtë e kryenin më shumë ata që nuk kishin luftuar, por trumbetonin me të madhe, se kishin luftuar në krahë të atyre, që kishin rënë dëshmorë. Si e tillë, asnjë nuk u dilte kundra si dëshmitarë, pasi ata që duhet të dëshmonin, kishin dhënë jetën; kështu në këto hapësira të mjegullta që krijoheshin, shfaqeshin vetë si heronj dhe kërkonin privilegje që e ndjenin edhe vetë mosmeritimin e tyre.
Në vitin 1952, pasi babai i tij, Qirjakua, lirohet nga burgu; disa muaj më vonë, po në këtë vit, Ilian, e përjashtojnë nga partia edhe pse, ai ishte pranuar në vitin 1944. Kjo ishte një tjetër goditje e rëndë, që i bëhej familjes Hoda, pasi Ilia, me shpirt ishte pagëzuar që në momentet kur e ndjeu si detyrim ndaj vendlindjes dhe atdheut, për t’iu bashkuar LANÇ.
Edhe Labova e Zhapës, u dogj e gjitha nga gjermanët, po ashtu edhe furra e bukës, që e kishte Qirjakua me të vëllanë e tij Sokratin. Familjes Hoda, iu dogjën gjithashtu edhe dyqani që shiste manifaktura dhe materiale ndërtimi dhe shtëpia me tre kate e Qirjako Hoda.
Familja Hoda, e ka origjinën nga lartësitë e Shëngjergjit të Tiranës, që kanë ikur para 400 vjetësh, për arsye ende të panjohura dhe janë vendosur në Labovë. Ai që u largua, ishte Leka Hoda, i cili martohet me një labovite dhe krijon familje.
Në kohën kur mësues, Thanas Hoda, ka ardhur nga Gjirokastra, si shumë kuadro të tjerë, për të punuar dhe jetuar së bashku me familjet e tyre; në rrethin e Tepelenës, në atë kohë, ka patur vetëm pesë shkolla 8-vjeçare. Përgjatë kohës që ai punoi, u hapën edhe 25 shkolla të tjera. Por në vitet ‘50-të, në Tepelenë nuk kishte asnjë shkollë të mesme, por më vonë, u ndërtuan gjashtë të tillë.
Në fillim të viteve 1950, ka dhënë mësim në krahinën e Lopsit, ku përfshiheshin fshatrat Sinanaj, Matohasanaj, Dorëza, Salari, Lab-Martalloz dhe Dhemblan. Në këto shkolla, është përkushtuar në maksimum, pasi e shikonte që fshatarët ishin të varfër dhe bënin të pamundurën, për t’i arsimuar fëmijët e tyre, të cilët ishin të etur për të mësuar dhe karakterizoheshin si arsimdashës. Nga bankat e këtyre shkollave, ku mësues Thanas Hoda ka dhënë mësim, kanë dalë shumë studentë të mirë që kanë mbaruar studimet e larta, mastera e deri në doktorata shkencore, të cilët kanë punuar edhe drejtues, në fusha të ndryshme të jetës. Në kohën kur ai jepte mësim në shkollës e Sinanaj, nxënësit vinin nga gjithë krahina e Lopsit.
Në tetor të vitit 1958, Enver Hoxha, shkoi për vizitë të pa lajmëruar në shkollën “Selam Musai“ në Sinanaj, ku mësues Thanasi jepte mësim. Enver Hoxha vendosi të shkonte të dëgjonte një orë mësimi po në klasën ku mësues Thanas Hoda jepte lëndën e “Historisë së lashtësisë”. Kur Enveri Hoxha pyeti nxënësit, se kush do vinte përpara klasës dhe të fliste mbi mësimin që ata duhet të përgatisnin; të gjithë ngritën duart dhe kjo u pa se edhe vetë, Enveri nuk e fshehu dot gëzimin, kur pa të gjithë nxënësit që kishin ngritur duart dhe dëshironin të pyeteshin. Kjo atmosferë, e çliroi gjithashtu mësues Thanasin, pasi nderonte, jo vetëm atë, shkollën dhe prindërit e tyre, por e bënte më shumë krenar dhe akoma më shumë të përkushtuar, për t’i edukuar këta breza, që edhe pse jetonin në kushte të vështira ekonomike, pa harruar dhe largësinë që ata ecnin për të ardhur në shkollë, e kishin vlerësuar.
Në këtë vizitë, Enver Hoxha, pyeti nëse shkolla kishte ndonjë fotografi të Selam Musait, dhe ngaqë nuk kishte, ia u la si detyrë për të gjetur fotografin e tij, pasi edhe shkolla mbante emrin e këtij heroi. Ngaqë mësues Thanasi kishte dhe të afërm ku mund të qëndronte në Vlorë, caktohet me shërbim dhe i drejtohet muzeut të Vlorës, ku edhe aty nuk kishte asnjë fotografi të heroit Selam Musai. Madje shkoi edhe në Himarë, për të pyetur një bashkëluftëtar të Selamit, pasi ishin në dijeni se kishin dalë një fotografi së bashku. Edhe atje nuk gjeti. Pasi fotoja ishte humbur përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Madje e kërkoi edhe në Muzeun e Luftës në Tiranë dhe nëpër muzeume të tjera, por asnjë nuk e kishte. Në ato vite, Selami akoma nuk ishte bërë “Hero i Popullit”. Por më vonë, imazhi i tij u mundësua nga piktorët, të cilët nxorën një portret të Selamit, mbështetur tek vajzat e këtij luftëtari.
Mësues Thanas Hoda, gjithashtu, ka njohur Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur, i cili kishte shkuar të merrte eshtrat e ushtarëve të vrarë italiane, të cilët përgjatë luftës, i sillnin dhe i varrosnin në Sinanaj. Në këtë fshat ishte një varrezë, ku preheshin 1200 ushtarë, pasi aty ka qenë “Spitali ushtarak” i tyre dhe shumë të plagosur që i sillnin, vdisnin. Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, u kërkoi që të merrnin pjesë në zhvarrimin e nipit të tij. Në atë kohë edhe pse ishte e vështirë nga sistemi, i lejuan me lejen e shoqëruesit të sigurimit të shtetit, për të marrë pjesë të gjithë mësuesit e shkollës. Aty, gjenerali u foli shqip, një fakt që deri në ato momente, asnjë nga banorët e fshatit dhe mësuesit, nuk e dinin.
Nga aktivitetet që organizonte shkolla e Sinanajt, ku ishte mësues Thanasi, fiton flamurin dhe si çmim për vendin e parë, një firzamonikë, aktivitet ky që organizohej njëherë në vit, në shkallë rrethi. Aq shpesh organizoheshin aktivitete, saqë u krijua si traditë.
Në vitin 1968, fillon punë në fshatin Maricaj, si drejtor zone ku mbulonte 10 fshatra, të cilët kishin pesë shkolla 8-vjeçare, me një kolektiv prej 50 mësuesish.
Përgjatë kohës që ishte drejtor shkolle në Maricaj, dëgjon për një vend, që njihej me toponimin “Varri i partizanit”, korrierit 22-vjeçar të Brigadës së VII-të, i cili ishte plagosur përgjatë përpjekjeve dhe duke ecur, kishte ndërruar jetë në fshatin Maricaj. Aty u gjend nga fshatarët dhe u varros, po aty. Ai quhej, Ramadan Fejzullai. Padyshim, që më vonë u ngritën dyshime, se mos kishte kaluar me Ballin Kombëtar, dyshime këto, që do ndikonin për të rënduar në jetën e familjes dhe të afërmve të tij. Falë interesimit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të mësues, Thanasit, u gjend se ky partizan ishte nga një fshat i Fierit dhe falë këtij gjesti fisnik të mësuesit, Thanas Hoda, ai u përcoll me nderime, për të gjetur paqen shpirtërore, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
I provokuar disa herë nga Sigurimi i Shtetit, që edhe mund ta burgoste, pasi e dinin që babai i tij, kishte jetuar në Amerikë dhe ishte shtetas amerikan, ai mundi të shpëtonte, jo vetëm me kujdesin e tij, por edhe me mbështetjen njerëzve të ndershëm dhe ndihmën e Zotit. Në kujtesën e memaliotëve, ka zënë vend një mbledhje, që i bënë në formë gjyqi edhe pse ishte zv/drejtor shkolle dhe i pafajshëm, i cili edhe pse zbatoi vetëm rregulloren, donin që ta dënonim. Në këtë rast, thyerjen e rregullores, e kishte bëtë sekretarja e shkollës, por ngaqë burri i saj, ishte në organet drejtuese të Partisë, këta të fundit, donin medoemos, që nëndrejtor, Thanas Hoda, të bëhej fajtor. Mbledhja-gjyq, filloi më orën 5 të pasdites dhe mbaroi në 7 të mëngjesit. Ishte qershor i vitit 1975. Organizata Bazë e Partisë së shkollës, edhe pse ishte në dijeni për pafajësinë e Thanasit, këmbëngulnin për ta dënuar, pasi ky ishte i biri një shqiptaro-amerikani.
Sekretarja çuditej me luftën që vazhdonin t’i bënin nëndrejtor Thanasit, edhe pse ajo e pranonte fajin e saj, që kishte ndihmuar një nxënëse të kopjonte. Ishin disa komunistë, jo të ndershëm, servilë dhe të vegjël në shirtë, të cilët duke e persekutuar jo vetëm moralisht, psikologjikisht, por kërkonin edhe për ta hequr fare nga arsimi dhe të shkonte me punë të detyruar, në frontet më të vështira të minierës së qymyrgurit.
Aty u dukën qartë dhe hapur, disa nga kolegët e tij, që u shpërfytyruan, duke u bërë servilë dhe frikacakë të tejskajshëm, në shërbim të padrejtësisë që po ushtronte dhunshëm psikologjikisht kryetarja dhe sekretari i Organizatës Bazë të Partisë së shkollës. Disa të heshtur dhe të shtangur nga ky terror, që po ushtronin dy komunistë që kishin mbaruar vetëm arsimin 7-vjeçar, të cilët po bënin të pamundurën, për t’i marrë shpirtin kolegut dhe shokut të tyre të mirë dhe të përkushtuar në sektorin e arsimit. Ishte një situatë, që duhej marr seriozisht, pasi mësuesit, janë si ata mjekët e ndershëm, që punojnë me betimin e Hipokratit, në të kundërt, koha ka treguar se me diploma, janë pajisur edhe shumë injorantë, të cilët paraqesin rrezikshmëri të madhe, nëse drejtojnë në çdo kohë, sistem apo shoqëri!
Thanas Hoda, me gjakftohtësi, e kërkoi të drejtën e tij, në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, ku disa nga kolegët e tij, që kishin dhënë mësim së bashku nëpër fshatra dhe shokë dhome gjithashtu; pas tre ditësh, kryejnë një mbledhje në Memaliaj dhe të paanshëm në vendimmarrjen e tyre. Ata i dhanë të drejtë zv/drejtor Thanasit, pasi aty u çuan dhe diskutuan gjithashtu, kolegët e sinqertë, të cilët edhe ata, në mbledhjen e parë, përjetuan një presion psikologjik dhe si e tillë, nuk folën. Ata dolën hapur, duke denoncuar kryetarin dhe sekretaren e Organizatës Bazë të Partisë, për presionin që u bënin; për të nxjerrë pa të drejtë fajtor kolegun e tyre; ndryshe nga kolegët e tjerët, të cilët nuk e bënë një gjest të tillë. Drejtuesit e Organizatës Bazë u shkarkuan për shpërdorim detyre dhe ushtrim të padrejtësisë, po ashtu edhe gjakprishurit u degdisën fshatrave. Ndërsa mësues Thanasi kërkoi që të mos kryente në vazhdim detyrën e zv/drejtorit dhe qëndroi si mësues, derisa doli në pension.
Nga ky përjetim i tij, lë të kuptohet, se mësues Thanasi, mund të dënohej edhe me burg; njësoj si edhe babai i tij, i cili ra preh e akuzave të rreme. Mund të merrej edhe si një provokim që mund t’i bëhej për ta dënuar, nëse do lejonte të kopjohej, por mbi të gjitha, ai e vlerësoi misionin e mësuesit, si të shenjtë dhe duhej t’i qëndronte besnik deri në fund.
Mësues Thanasi ka mbrojtur edhe nxënës nga ndonjë fjalë që u është keqinterpretuar qëllimisht nga ndonjë mësues, të cilët, këta të fundi kanë dash t’i përjashtonin nga shkolla. Ai ka ngritur zërin e tij, për t’u dalë në mbrojtje dhe më pas i janë bashkuar edhe mësues të tjerë, ku së bashku kanë bërë të mundur ta shpëtojnë, siç është rasti i Gjenovefës, motrës së Rrako Kristos, i cili ishte dënuar me burg për tentative arratisje. Nga kjo, ai dhe ata që e dolën në mbrojtje të Gjenovefës, u vunë në shënjestër nga disa komunistë të egër.
Mësuesi Thanasi Hoda kishte kurajon dhe u dilte në mbrojtje publike të pafajshmëve që ndodheshin përpara njerëzve negativë, të cilët kërkonin t’i dënonin padrejtësisht edhe pse ata kishin qenë partizan apo familje dëshmorësh. Këtë luftë e bënin në mbledhjet që i organizonin posaçërisht në publik, por Thanasi gjente kurajon dhe diskutonte fuqishëm, për t’u dalë në mbrojtje, siç ishte edhe rasti i inxhinierit Kristo Zherdi.
Mësuesi veteran Thanas Hoda ka qenë edhe një eksplorues i disa vendeve shumë të vjetra dhe të shenjta, ku bashkë me disa kolegë të tij, i kanë vizituar. Përveç atyre në vendlindjen e tij Labovë, ka bërë edhe në rrethin e Tepelenës, në zonat ku ai ka punuar si mësues dhe drejtues shkolle. Një prej tyre, është vendi i shenjtë, në guvën që ndodhet në thellësitë e vendit me toponimin “Shkëmbi i Dokos”, ku hyrja është e vështirë, pasi është një thepisje mbi 20 m. Në faqet e saj, ka piktura murale të shenjtorëve, po ashtu edhe dyshemeja e shtruar me mozaike. Kjo është eksploruar në kohën e sistemit të kaluar dhe mbi një libër që është lënë aty, për eksploruesit e mëvonshem, janë shënuar gjithë emrat e grupit, ku bënte pjesë edhe mësues Thanasi. Eksplorimi i dytë, është ajo e kishës në Kalivaç, e cila ndodhet në thellësitë e një shkëmbi, përballë “Shkëmbit të Ylneçit”, ku ikonat murale, janë në gjendje të mirë. Në vazhdim ka eksploruar edhe Kalanë e lashtë të Matohasanajt, …etj.
Përgjatë mësimdhënies së tij, përveç nxënësve, ishin edhe prindërit e tyre, të cilët vazhdonin shkollën natës, pa shkëputje nga puna.
Mësuesi Thanas Hoda ka marr pjesë edhe në aktivitetet kulturore që organizonte shkolla me kolektivin e mësuesve. Ai ka luajtur në një dramë me temë nga lufta, ku në qendër, ishin mësuesit. Në këtë dramë kanë luajtur edhe kolegët e tij, Harzo Koçi, Thanas Basho, Leonidha Mertiri, nxënësi Fatmir Meçe, …etj. Duhej të kujtoj se; ka qenë pjesë e stafit të shkollës, që merrej me organizimin e aktiviteteve kulturore të ndryshme që zhvillonin nxënësit midis klasave, në shkallë rrethi dhe vendi, të cilët kanë marr edhe trofe në këto aktivitete.
Kontributi i mësuesit veteran Thanas Hoda, është edhe në fusha të ndryshme si, ajo e mbledhjes së këngëve labe, shkrime për të rilindur kushërinjtë dhe rilindasit, Vangjel dhe Konstandin Zhapa, pjesëmarrës aktiv dhe organizues (së bashku me fëmijët e tij) i disa aktiviteteve kulturore të diasporës në Çikago, ..etj. Është për t’u përmendur edhe shpirti i tij humanist, pasi ka ndihmuar me forma të ndryshme dhe brenda mundësive të tij edhe bashkatdhetar në diasporë. Ka mbështetur me ndihma financiare, ato familje dhe bashkëqytetarë memaliotë në nevojë, që i kemi publikuar tek faqja jonë ”Memaliaj në Facebook, të cilët kërkonin ndihmë në përjetime fatkeqësish dhe për të marr mjekime mjekësore. Ka sponsorizuar gjithashtu edhe shumë botime, të bashkëpatriotëve të tij labovitë, por disa nga këta të fundit, i kanë dalë mosmirënjohës për këtë gjest fisnik, pasi kuptohet, se rreth vetes kemi shumë njerëz të tillë, të cilët janë lindur të pakënaqur në shpirt!
Atë që më duhet t’a përmend, edhe pse e kam shkruajtur në detaje, në një tjetër shkrim, të botuar vite më parë në “Gazetën Ndryshe”, është se mësues Thanasi, më ka ndihmuar, për të më shpëtuar jetën, kur jam aksidentuar në një aksion, ku merrte pjesë shkolla jonë 8-vjeçare, për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë ndihmëse të fshatit Çerrilë. Mësues Thanasi së bashku me mësues Karlo Hysotoçin më kanë marrë në krahë për më shumë se dy km duke më nxjerr tek rruga që lidhte minierën me rrugën nacionale, për të ndaluar makinën e rastit, të cilën e drejtonte Valdimir Kondo, dhe më çuan tek ambulanca e qytetit. Mësues, Thanasi më ka shoqëruar deri në fund duke më dhënë edhe kurajo, pasi po vazhdoja të humbisja shumë gjak! Padyshim që mirënjohje të thellë shpreh edhe për të dy bashkëqytetarët Karlo Hysotoçin, Vladimir Kondin dhe infermieren e përkushtuar, Kalopi Dine, që më dha ndihmën mjekësore.
Mësuesi veteran Thanas Hoda krijoi familje me Violeta Kaftanaj, e cila rrjedh nga një familje me origjinë nga Hormova, që është larguar për arsye të diskriminimit që i bëri Ali Pashë Tepelena, gjithë hormovitëve dhe u vendosën në një nga fshatrat e Gjirokastrës. Familjes Hoda, u vinë në jetë edhe dy djemtë, Arturi dhe Qirjakua. Teta Leta, pasi kështu i flas; ka punuar një jetë të tërë me përkushtim në shërbimin social, tek tavernua e vetme e qytetit, duke u shërbyer minatorëve që niseshin herët në punë dhe mbrëmjeve, pasi ktheheshin nga puna! Gëzon respektin e të gjithë memaliotëve. Djali i tyre, Arturi, ka mbaruar studimet e larta për ekonomist dhe ka dhënë kontributin e tij si kitarist i trupës së Pallatit të Kulturës së qytetit. Ndërsa Qirjakua ka studiuar për inxhinieri ndërtimi dhe në Çikago ka kryer studimet e larta për mjekësi.
Mësuesi veteran Thanas Hoda së bashku me familjen e tij, jetojnë në Çikago qysh prej vitit 1993, ku punojnë e japin edhe ata kontributin e tyre, për zhvillimin dhe begatinë e ShBA-së.
Të shumta janë edhe komentet në Facebook, për mësuesin veteran, Thanas Hoda, nga labovitë, kolegë, ish-nxënës të tij, të cilët, më vonë studiuan dhe punuan në profesionin e mësuesit, bashkëqytetar me kontribute në fusha të ndryshme të shoqërisë, …etj.
Ja çfarë shkruan laboviti, Fatmir Kalemi: “Intelektuali Thanas Hoda, është biri i denjë i Labovës, që banon familjarisht, për më shumë se dy dekada, në shtetin e Chicagos. Ai u shkollua në regjimin totalitar, por, i ardhur nga familje kurbetliu amerikan, diti të brumosej me kulturën e vërtetë kombëtare. Shteti totalitar, i burgosi baban, Qirjakon, që përveçse kishte qenë në Amerikë dhe ishte shtetas amerikan, s’mundën t’i gjenin akuzë tjetër, megjithëse gjetën dëshmitarë të rremë për t’i “argumentuar” akuzën krejtësisht të pavërtetë. Thanasi e mori shkollën e lartë, për gjuhë-histori, falë sakrificave që bëri, duke qenë arsimtar fshatrave të Tepelenës dhe nga viti 1959-të e deri sa doli në pension, në qytetin e Memaliajt. Ai ka bërë emër si letrar, veçanërisht në Amerikë. Është autor i dy librave memoristikë, për Labovën e Zhapës dhe Tepelenën, ku punoi gjithë kohën para pensionit, ku nuk shprehet vetëm nostalgjia e kurbetliut, por për herë të parë janë përshkruar njerëz të thjeshtë të Labovës, që janë pjesë e historisë së fshatit dhe vendeve ku jetoi dhe punoi. Pa mohuar vlerat e botimeve të autorëve labovitë, përpara Thanasit, ata kanë evokuar vetëm veprimtarinë e elitave. Puna e Thanasit është gjithëpërfshirëse, Është nga autorët e parë që ndriçoi veprimtarinë patriotike dhe rajonale të kushërinjve të parë “Zhapa”. Shkrimi i Thanasit, për këtë problem, mbetet material reference. Si publicist, ai është studiues dhe analist i saktë. Ja ç’thotë në librin e parë, “Labova e Zhapës, vendi i shenjtë i takimit me Zotin”: “Vendet tona të mira e të bukura, do popullohen sërish, por, ndoshta, jo me labovitë. Jemi pikërisht, në këtë kohë, që do të eci me ritme të shpejta, pas krizës së sotme, që në vitin 2005-ë, s’kishte indikacion”. Thanasi dhe Labova, krenohen me njëri-tjetrin.”
Adnand Goga: “Mirëmbrëma Mondi! Të mbahet mend, si na thoshte profesor Thanasi: “Merrini gabimet, futini në një thes, lidhjani grykën fortë se mos ju dali ndonjë gabim, dhe hidheni në lumë, …”, e mban mend apo jo?”
Edmond Ismailati: “Qesh…po, po, e mbaj mend. Nga njëra anë, e kishte mirë, se ndryshe të dënonin, apo çe shikoin me sy tjetër, ngaqë kishte babanë me shtetësi amerikane. Si e tillë, po të mos fliste në parim, do e degdisnin në burgun e Spaçit. Në të vërtetë, nëse i kthehemi me logjikës e sotme, na lë të kuptojmë, se në këshillat e tij, na ka komunikuar me një kod që ka dash të na ndihmonte, pasi të vërtetat, që sistemi i konsideronte gabime deri në tradhëti, duhej që t’i mbanim në vetvete, ngaqë edhe muret kishin vesh.”
Jorgos Ferros (mësues): “Mondi, duhet të dish, që Prof . Thanasi ka shkruar dhe nja dy libra, Tek njëri shkruan për jetën e vet, vendlindjen e tij Labovën, Memaliajn dhe punën e tij nëpër fshatrat e rrethit të Tepelenës. Titulli, më e duket se është: “Rrugët e jetës, më e çojnë në Labovë”. Ndërsa, titulli i botimit tjetër, nuk më kujtohet. Ai jeton në Çikago, së bashku me bashkëshorten dhe familjet e të dy djemve të tyre.”
Edmond Ismailati: “Po Jorgo. E kam librin e tij dhe e kam lexuar! Nga përmbajtja, ka vlera akademike, për të cilat do t’i vijnë në ndihmë edhe studiuesve, nëse tregojnë interes.”
Fatos Vrenozi: “Mësues Thanasin, e kam patur mësues kujdestar, për katër vjet rresht dhe mbetet një ndër mësuesit më me ndikim, në edukimin për brezin tonë. Ai, përveç atyre që shprehu Adnand Goga, mbahet mend edhe për shprehjen e tij, që u shprehte nxënësve, sa herë që i ngrinte përpara klasës, për të parë sesa të përgatitur ishin për mësimin që ai kishte shpjeguar një klasë më parë; duhej ta fillonin që nga banka dhe kur të gjendeshin përpara klasës, duhej të kishin mbaruar gjysmën e mësimit. Kjo tregonte, se mësues Thanasi, e donte kohën, për mos t’i shkuar dëm, pasi donte që të çonte sa më shumë nxënës, të cilët ngrinin duart, për t’u pyetur.”
Namik Caushi (mësues): “Urime të përzemërta Prof. Thanasit, mësuesit tim të letërsisë, nga klasa e V-VIII-të. Një burrë serioz; një mësues korrekt me një bashkëshorte e dy djem model. I uroj pleqëri të bardhë atij dhe bashkëshortes së tij, Letës!”
Mimoza Muçobega: “Respekte! Rrallë mund t’i gjejmë të tillë profesorë me zemër të madhe dhe me një përkushtim të theksuar! E them me sinqeritet, që ne kemi dalë të fituar karshi punës së tij.”
Andromaqi Gjika (mësuese): “Respekt për mësuesin, Thanas Hoda! Për ne ka qenë një shok i mirë, mik i vërtetë dhe koleg e denjë!”
Isak Vlashi (mësues): “Mësues me pasion, edukatë të jashtëzakonshme, ku sot nuk gjen të tillë mësonjës. Mësues i apasionuar dhe me kulturë të gjerë.”
Xhezo Cana (mësues): “Respekte për mësuesin veteran, Thanas Hodo!”
Flamur Shehu: “Mësues me shumë dashuri! Kujtoj shumë kolegë të mrekullueshëm të brezit të tij, ku që të gjithë kanë kontribute të mëdha për arsimimin e memaljotëve, por profesor Thanasi, është një nga më të mirët e shkollës tonë.”
Izet Hasani: “Jam dakord me parathënësit, në çdo do aspekt që ta shohësh profesor Thanasin dhe kolegët e tij. Për ne memaliotët e asaj kohe, ishin busull, pasi ata na dhanë dijet e para të arsimimit! Besoj se, nuk u vajti mundimi kotë. T’i kujtojmë dhe t’i respektojmë, për misionin e tyre të shenjtë!”
Petrit Llaka (mësues): “Një njeri fisnik, që ka lënë gjurmë të thella me punën e tij, për edukimin e brezit të ri, mision, të cilin e ka kryer me ndjenjën dhe përkushtimin më të lartë të tij! E përshëndes dhe e përqafoj!”
Tahir Kalemi: “Intelektual, i zgjuar, i thjeshtë dhe i respektuar. I uroj jetë sa më të gjatë, në epokën e ndryshimit..”
Linda Çibuku (Gjata), (mësuese): “Jam shumë krenare dhe e lumtur, që kam patur një koleg të tillë! Respekt, dashuri dhe mirënjohje për Prof. Thanasin dhe bashkëshorten e tij, Letën!”
Jorgji Ciko: “I uroj shëndet dhe jetë të gjatë, Prof. Thanasit dhe familjes së tij! E veçanta e tij, në mos gaboj; më kujtohet, që kur të ngrinte në dërrasë, duhej ta filloje mësimin që nga momenti që çoheshe nga banga dhe deri sa të kishe arritur te dërrasa, duhej të kishe thënë gjysmën e mësimit, … unike!”
Pranvera Sotiriu (Micka): “Prof. Thanas Hoda, është brezi i parë i mësuesve të qytetit të Memaliajt. Më tepër se 30-vjet, ky profersor, ka nxjerrë kuadro nga sa e sa breza nxënësish. Të gjithë nxënësit, kanë patur dhe kanë një respekt tepër të veçantë. Me babanë tonë, ishin shokë!”
Luljeta Nuraj (Kubati), (mësuese): “Nuk gjej fjalë, për të përshkruar figurën e këtij mësuesi dhe kolegu të mrekullueshëm e të talentuar, i cili ka punuar pa u lodhur, në punën dhe misionin e tij fisnik! Një njeri me kulturë evropiane, i dashur dhe i respektuar nga i gjithë qyteti, i cili krijoi një familje të mrekullueshme, që ishte për t’u marr shembull nga të gjithë! Mësues, Thanasi, ka nxjerrë kuadro, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre, në fusha të ndryshme të jetës, ku disa prej tyre kanë qenë edhe drejtues të zotë! Të gjithë këta ish nxënës të tij, ruajnë një respekt dhe dashuri të jashtëzakonshme! Dëshira ime dhe shumë atyre që kam takuar; përgjatë bisedës janë shprehur se mësuesi veteran, Thanasi, për kontributin e tij në edukimin e shumë brezave memaliotë dhe atë në shkallë rrethi, e meriton të vlerësohet nga Këshilli Bashkiak, me titullin “Qytetar Nderi”.“
Fiqirete Spahiu (mësuese): “Profesor dhe njeri i mrekullueshëm, rigoroz por i drejtë dhe me një vizion bashkëkohor dhe më tej …! Ka edukuar dhe vazhdon të edukojë përditë, me kulturën e tij njerëzore dhe profesionale ..! Është kënaqësi e veçantë dhe privilegj do të thosha unë, prania e personaliteteve të tilla në gjirin tonë …! I uroj me gjithë zemër, jetë të gjatë e të lumtur, së bashku me familjen e tij të mrekullueshme dhe dinjitoze!”
Shaban Qibini: “I nderuar dhe respektuar, jo vetëm si mësus por edhe si bashkëqytetari ynë. Me përkushtimin e tij, ka edukuar me qindra të rinj dhe të reja. Ai qëndron në mëndjet tona, si një nga mësuesit më të mirë. I uroj të gëzojë, jetë sa më të gjatë dhe të shëndetshme, së bashku me bashkëshorten e tij, Letën!”
Eli Mustafaraj (mësuese): “Prof. Thanas Hoda, ka qenë dhe mbetet mësuesi dhe njeriu më i respektuar familjarisht, në qytetin e Memaliajt! Jam dakord me mendimin e koleges Luljeta Nuraj (Kubati), që mësuesit veteran, Thanas Hoda, t’i jepet titulli “Qytetar Nderi i Memaliajt”. Respekt për familjen Hoda!”
Flora Tushaj (Cakalli): “Respekt për Prof. Thanas Hoda dhe familjen e tij! Edhe unë bashkohem me mendimet e lartpërmendura nga bashkëqytetarët e mij, për t’i propozuar Këshillit Bashkiak, që t’i akordojë titullin “Qytetar Nderi i Memaliaj”, pasi e meriton! Mendoj që Bashkia e qytetit tonë, duhet të jetë krenarë për këta njerëz të mrekullueshëm dhe të sakrificave, të cilët kanë jetuar e punuar dhe ende jetojnë, që t’mos i kursejnë vlerësimet, për ata që e meritojnë!”
Sulo Nelo Gërbi: “Ruaj respekt dhe konsiderata të veçanta, për të nderuarin mësuesin veteran, Thanas Hoda!”
Por, pasi lexon të gjitha komentet, mësuesi veteran, Thanas Hoda, shprehet: “I falenderoj nga zemra, të gjithë! Ne si mësues, ndiejmë kënaqësi të veçantë, kur mësojmë se ish nxënësit tanë, kanë ecur në jetë! Sot, ata janë prindër e gjyshër të nderuar, të cilët janë shpërndarë nëpër vende të ndryshme të vendit dhe anë e mbanë botës, duke dhënë edhe ata kontributin e tyre! Ne krenohemi, që, kudo ku banojnë dhe punojnë me nder, kanë rritur e shkolluar fëmijët e tyre, të cilët mbajnë lart, jo vetëm nderin e familjes së tyre, të Memaliajt, por edhe të Shqipërisë tonë të shtrenjtë! Ata mësues të apasionuar si: Serafin Koxhioni, Spiro Kreci, Thanas Basho, Bardhul Joka, Idriz Arapi, Llukan Stavro, Guri Halili e shumë të tjerë, për të cilët nuk ndihem mirë, ngaqë nuk i përmenda dotë të gjithë, të cilët nuk përtuan kurrë. për t’a mbajtur shkollën e Memaliajt, në ballë të shkollave të Tepelenës! Të nderuar! Ju falënderoj për mendimet e mira që kini shprehur në adresën time! Unë jam shumë i kënaqur me vlerësimet e konsideratat që shprehin me qindra dashamirës të mi, por për vlerësime të kësaj natyre që ju mendoni, nuk dëshiroj dhe le të mbtet me kaq, pasi ka shumë të tjerë që mund të vlerësohen me këta tituj dhe unë ndiej kënaqësi, t’u dërgoj urime të përzemërta, kur ata t’i përfitojnë! Ju uroj shëndet e mbarësi, të gjithë atyre, që mësuan e punuan në atë shkollë të mbarë!
Ju përqafoj! Miqësisht, Thanasi!”
Sinqerisht, nuk e kam patur të lehtë, për të mbledhur të dhëna mbi jetën dhe punën e mësuesit veteran, Thanas Hoda, pasi edhe vetë ai, me thjeshtësi, nuk pranoi të më ndihmonte, kur e pyeta, por më sugjeroi që të shkruaja për disa kolegë të tij që kanë kontribut të madh, në arsimin e brezave memaliotë dhe të rrethit të Tepelenës.
Në mbyllje të këtij shkrimi dedikues, më ngelet që t’i shpreh, jo vetëm mirënjohjen time më të thellë, por edhe të mijëra nxënësve tepelenas, për përkushtimin dhe kontributin e tij të madh, në edukimin dhe arsimimin e dhjetra brezave, të cilët, sot punojnë dhe drejtojnë, jo vetëm në vend, por edhe jashtë kufijve të Shqipërisë!
Me punën e tij, mësuesi veteran, Thanas Hoda, e ka fituar vlerësimin nga bashkëqytetarët, atë të titullit “Qytetar Nderi i Memaliaj”, por i ngelet Këshillit Bashkiak, që ta legalizojë dhe zyrtarizojë atë.
Edmond Ismailati
Qershor 2021