Dy misione të reja për të studiuar botën e humbur të banueshme në planetin Afërditë. Është ky plani i NASA-s, i pari në dekada, për të shqyrtuar atmosferën dhe historinë gjeologjike të fqinjit më të afërt planetar të Tokës.
Agjencia Hapësinore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po financon rreth 500 milionë dollarë për zhvillimin e dy misioneve që do lëshohen mes viteve 2028 dhe 2030.
“Përgëzoj ekipet pas dy misioneve shkencore planetare të NASA-s, Veritas dhe Davinci+. Këto misione simotër kanë për synim të kuptojnë se si Afërdita u shndërrua në një botë ferri, planet i aftë të shkrijë gjithçka në sipërfaqe”, u shpreh Bill Nelson, administrator i NASA.
Vizita e fundit e NASA-s në këtë planet u bë 30 vite më parë me sondën Magelani.
“Në sistemin tonë solar me planete të ngurta, kemi Mërkurin afër diellit. Nuk ka atmosferë të banueshme, kemi Afërditën me atmosferë shumë të dendur, më pas Tokën me atmosferë të banueshme, dhe Marsin me një atmosferë vetëm sa 1% e Tokës. Shpresojmë që këto misione të na ndihmojnë të kuptojmë më shumë se si Toka evoluoi dhe pse është e banueshme kur planetet e tjera të sistemit tonë diellor nuk janë.”
Sonda Davinci+ pritet që të fotografojë imazhe me cilësi të lartë dhe me pamje unike gjeologjike të Afërditës, të quajtura “tesserae” që mund të krahasohen me kontinentet e Tokës dhe mendohet që të ketë dhe pllaka tektonike.
Ndërsa ajo Veritas do të masë kompozimin e atmosferës së dendur të këtij planeti për të kuptuar se si u zhvillua dhe do të bëjë një hartë të sipërfaqes për të përcaktuar historinë gjeologjike dhe pse është ndryshe nga Toka.