Ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama po zhvillon një vizitë dyditore në Turqi, ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias ka folur në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare.
Kreu i diplomacisë helene ka folur gjatë një Konference Ndërkombëtare se është i lumtur që Shqipëria e ka bërë historikisht zgjedhjen e saj për të parë drejt BE-së, çka sipas tij do ta afrojë me Greqinë.
Megjithatë Dendias thekson se Athina zyrtare nuk do të bëjë asnjë lëshim në raport me këtë proces, ndonëse shprehet se afrimi i Tiranës me Brukselin është çështje kohe.
Dendias shprehet marrëdhëniet turko-shqiptare nuk ndikojë tek ato greko-shqiptare, megjithatë ai e pranon se Rama ka një raport personal me Erdoganin.
PYETJE: Në lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare në veçanti, unë do të doja të pyesja në cilën fazë janë konsultimet tona për të shkuar në Hagë. Dhe ne shohim që Edi Rama ka ende një marrëdhënie shumë të ngushtë me Tajip Erdogan. Kështu që doja të pyesja nëse këshillimet po vazhdojnë që të shkojnë në Hagë?
NIKOS DENDIAS: Ju tregoj unë. Aty ishte një çështje, e cila nuk kishte asnjë lidhje me marrëdhëniet greko-shqiptare. Kishte të bënte me marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe Presidentit të Shqipërisë, mosmarrëveshja e madhe nëse Presidenti do t’i jepte Kryeministrit autorizim për të negociuar kushtet e Marrëveshjes së Hagës, për të cilën Edi Rama është zotuar publikisht dhe thonë se e ka përsëritur atë shumë herë, nuk ka asnjë problem.
Tani, që këtej e tutje, do t’ju kërkoj të mos i shihni marrëdhëniet greko-shqiptare në kontekstin se shqiptarët janë miq me turqit, kështu që ata nuk janë automatikisht miq të Greqisë. Është shumë më e komplikuar. Dhe më lejoni t’ju them, Shqipëria historikisht – dhe nëse e shikoni në perspektivë – ka bërë zgjedhjen e saj. Fakti që është e etur të bëhet anëtare e familjes evropiane, që do të thotë bashkë-nënshkrim i të gjitha vendimeve të rezolutave evropiane, tregon se ku do të jetë Shqipëria në 50, në 100, në 150 vjet nga sot. Dhe do të shihni se Shqipëria ka një tregues të konsiderueshëm të dakordësisë me vendimet e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Pra, po, Shqipëria ka marrëdhënie të ngushta me Turqinë. Po, Edi Rama ka një marrëdhënie personale me Presidentin Erdogan. Këtë gjë ne e dimë. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka një terren të madh për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare.
Dhe ju do të më lejoni – po ju them përsëri – Shqipëria të bëjë atë që unë do të doja të bënte Turqia në një moment, të kthehej në Evropë, të përqafonte vlerat evropiane dhe të përpiqej të bëhej anëtare e familjes evropiane.
Kjo patjetër që do ta sjellë atë shumë pranë Greqisë në të ardhmen, për sa kohë që ne e kuptojmë atë, e shohim dhe e kultivojmë. Dhe sigurisht, ne nuk do të bëjmë asnjë lëshim për palën shqiptare. Ajo duhet të plotësojë plotësisht kushtet për pjesëmarrje në ndërtesën evropiane, përfshirë mbrojtjen absolute të të drejtave të pakicës greke.
Sidoqoftë, jam i lumtur të them se besoj se Shqipëria ka bërë zgjedhjen. Është çështje kohe, përpjekjeje, por e ka bërë zgjedhjen themelore.