Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Denidas, ka shpalosur detaje të reja për mediat greke për çështjen detare me Shqipërinë.
Ai theksoi se Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord tetorin e vitit të shkuar, që mosmarrëveshjet mbi detin t’i zgjidhin duke iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
“Marrëveshja politike për referimin e çështjes së delimitimit të Zonës Ekskluzive Ekonomike midis Greqisë dhe Shqipërisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë është arritur nga tetori i kaluar”, tha ai.
Në lidhje me çështjet teknike të këtij procesi, kryediplomati grek thotë se të dyja shtetet po konsultohen mes tyre për të hartuar një tekst konkret.
“Përsa i përket çështjeve teknike, duhet hartuar dhe kërkesa përkatëse. Organet kompetente të të dy vendeve vijojnë konsultimet për hartimin e këtij teksti”, tha Dendias.
Sa i takon ratifikimit të pakteve me Maqedoninë Veriore, pas marrëveshjes së Prespës, ministri Dendias ka deklaruar se ministria e Jashtme ka dorëzuar dosjen e plotë në parlamentin grek në shtator 2020.
“Këto marrëveshje u paraqitën në Parlament Shtatorin e kaluar. Ministria e Punëve të Jashtme ka përfunduar të gjitha veprimet e nevojshme. I takon Parlamentit të përcaktojë një datë për futjen e ligjit të ratifikimit. Më lejoni t’ju kujtoj se për shkak të pandemisë, kishte dhe ende ka masa konkrete në procesin parlamentar”, tha ministri Dendias për gazetën “Parapolitika”, intervistë të cilën e ka shpërndarë në faqen zyrtare edhe Ministria e Jashtme e Greqisë.