Associated Press
Papa Françesku shprehu të dielën dhimbje lidhur me zbulimin në një shkollë në Kanada të eshtrave të 215 fëmijëve të fiseve indigjene. Fëmijët ndiqnin shkolla me konvikt të administruara nga kisha katolike. Papa u bëri thirrje udhëheqësve fetarë dhe politikë të hedhin dritë mbi “këtë ngjarje të trishtë”. Por ai nuk kërkoi ndjesë për vdekjet.
Në komente para besimtarëve të dielën në Sheshin e Shën Pjetrit, Ati i Shenjtë u bëri thirrje autoriteteve të nxisin pajtimin, pa përmendur me emër Kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau i cili ka thënë me këmbëngulje se Vatikani duhet të kërkojë ndjesë dhe të mbajë përgjegjësi.
Nga shekulli XIX deri në vitet 1970, mbi 150,000 fëmijë nga fise autoktone u dërguan me forcë në shkolla të financuara nga shteti dhe të administruara nga kisha katolike, në një përpjekje për t’i asimiluar ata në kulturën kanadeze. Ata u detyruan me forcë të konvertoheshin në katolicizëm. Shumë prej tyre vuanin abuzime të rregullta dhe thuhet se deri në 6,000 prej tyre gjetën vdekjen gjatë kohës që ndiqnin shkollën.
Udhëheqës të fiseve autoktone thonë se ky keqtrajtim ka lënë si trashëgimi probleme të shumta sociale, përfshirë ritmet e larta të abuzimit, alkoolizmit e përdorimit të drogës në rezervatet ku jetojnë këto fise.
Qeveria kanadeze ka pohuar se në këto institucioneve në shumë raste nxënësit u nënshtroheshin rrahjeve dhe abuzimit seksual. Fëmijët ndëshkoheshin fizikisht nëse përdornin gjuhën e tyre autoktone në shkollë.
Pajisje të sofistikuara që analizojnë objektet e groposura nën dhé u përdorën muajin e kaluar për të konfirmuar eshtrat e fëmijëve në shkollën e qytetit Kemlups në shtetin kanadez British Kolumbia. Kjo shkollë ishte objekti më i madh në Kanada i përdorur për asimilimin e fëmijëve autoktonë dhe u administrua nga kisha katolike nga 1890-1969.
“Po e përcjell me dhimbje lajmin që ka ardhur nga Kanadaja për zbulimin e eshtrave të 215 fëmijëve,” tha papa në meshën e tij të dielën. “Ky zbulim i trishtë e shton vetëdijen dhe keqardhjen tonë për vuajtjet e së kaluarës,” tha ai.
Të premten, Kryeministri Trudeau kritikoi ashpër kishën që po qëndronte “e heshtur” dhe nuk po “i dilte zot përgjegjësisë” dhe bëri thirrje për një ndjesë zyrtare si dhe për masa kompensuese për rolin e saj të madh në fushatën e Kanadasë për të larguar me forcë fëmijët indigjenë nga familjet.
Ai vuri në dukje se kur ishte takuar me Papa Françeskun në Vatikan në 2017, i kishte kërkuar të bëheshin hapa përpara për të kërkuar ndjesë dhe për të bërë publike arkivat. Por “ne ende shohim rezistencë nga kisha, ndoshta nga kisha katolike në përgjithësi, apo nga kisha katolike në Kanada”.
Kryetarja e fisit Tk’emlups te Secwepemc, Rosanne Casimir, tha se pjesëtarët e këtij grupi që jeton në territorin e British Kolumbias duan ndjesë publike nga kisha katolike. Misioni kishtar që administronte shkollat në Kanada nuk ka bërë ende publike arkivat mbi shkollën në Kemlups.
Komentet e Papës përqëndroheshin tek shërimi, por nuk kërkonin ndjesë.
Javën e kaluar, zëdhënësi i Vatikanit nuk iu përgjigj kërkesës për komente lidhur me një ndjesë zyrtare nga Papa Fraçesku.
Të mërkurën, Arqipeshkvi i Vankuverit Michael Miller shkruante në Twitter “ndjesë të thellë dhe ngushëllime të thella për familjet dhe komunitetet pas këtij lajmi të tmerrshëm”. Kleriku Miller, më i larti I kishës katolike në British Kolumbia shtoi se kisha “ishte pa asnjë dyshim gabim që kishte vepruar në zbatim të politikave kolonialiste të qeverisë, të cilat kishin sjellë si rezultat shkatërrimin e fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve”.
Qeveria kanadeze ka ofruar kompensim për fiset autoktone. Ndërkaq, janë ngritur disa propozime, një ndër ta është krijimi i një komisioni për të vërtetën dhe ripajtimin.
Në 2009, Papa Benedikti XVI u takua me ish-nxënës të këtyre shkollave dhe u foli për “ankthin personal” që ndjente nga vuajtjet që kishin kaluar. Por pjesëmarrësit nuk i konsideruan këto komente si ndjesë.