Histori Xhezo Cana, një studiues i ri që po pasuron historinë

Xhezo Cana, një studiues i ri që po pasuron historinë

Studiuesi Xhezo Cana

Krenohem me studiuesin Xhezo Cana, jo vetëm pse e kam patur nxënës në shkollën e Memaliajt, por edhe për punën e pastër, me durim e këmbëngulje, për të pasqyruar një pjesë të historisë, duke u bazuar në dokumentat, arshivat, shtypin e kohës, historikun e fshatrave dhe libra të shkruara nga autorë seriozë.

Xhezua, që në moshë të re, karakterizohej si njeri i qetë, serioz, këmbëngulës dhe me durim, të shikon drejt në sy, ku kërkon gjithmonë të blejë e të pasurojë bagazhin e njohurive.

Megjithëse larg, i kam ndjekur krijimet e tij, si: studimet historike, monografitë, duke i thelluar studimet e duke i zbardhur ngjarjet, ndodhitë, të cilat janë lënë në harresë! Në studimet e tij, spikat paanshmëria dhe serioziteti, pasi vlerëson persona me kontribute gjatë kohës, që nga shpallja e Pavarësisë, agresionit grek përgjatë viteve 1913-14, zhvillimin e Kongresit të Durrësit, të Lushnjës, luftës së Vlorës, lufta kundër nazifashistëve e deri më vitin 1944, …etj.

Në të gjitha shkrimet e autorit dhe studiuesit, Xhezo Cana, shikohet një vlerësim objektiv, për njerëzit e ngjarjet, pa ndikime politike, duke përkrahur e mbështetur gjithmonë të mirën, të mbarën dhe të drejtën!.

Gjatë luftës kundër nazifashistëve, shqiptarët u renditën në fronte të ndryshme, sipas partive, duke patur mendime edhe të njëjta fillimisht, por edhe të kundërta kur afroi koha të korrej fitorja.

Shumica e fshatarëve, në atë kohë, nuk e kishin atë qartësi politike dhe as që nuk ishin në gjendje, të zgjidhnin udhën për nga ishte e drejta.

Ata shkonin, nga i drejtonin ata që dinin më shumë, të cilët kishin ndikim dhe që u dëgjohej fjala dhe që kishin fituar një farë besimi. Disa ndoqën udhën e drejtë të patriotizmit dhe të përkushtimit, për interesat e atdheut e disa të tjerë, atë të kundërtën!

Vlera e studiuesit, Xhezo Cana, është se, në këto materiale, është munduar të bëjë një vlerësim të drejtë të ngjarjeve, zhvillimeve, përpjekjeve, pritave, luftërave dhe të njerëzve që qëndronin në ballë të masave e të sakrificave!

Populli ynë, në këto luftëra, pësoi humbje të mëdha, derdhi gjak ku i’u vranë djemtë më të mire dhe pa harruar se u dogj, u shkatërrua dhe u dëmtua në masë blegtoria dhe të korrat! Shumë mbetën pa shtëpi, pa asnjë plaçkë shtëpie dhe vetëm me ato që kishin veshur!.

Por hallall të gjitha, kur është puna për atdheun, për Shqipërinë! Me këto studime dhe shkrime, që ka krijuar e botuar, Xhexo Cana, e ka renditur veten, në radhët e një studiuesi serioz, të drejtë e objektiv, që nderon veten, por edhe Tepelenën!

Botimet e tij lexohen me kuriozitet, dëshirë dhe krijojnë një mendim të drejtë për ngjarjet e njerëzit dhe kontributet e tyre.

E përgëzojë dhe e urojë edhe për botime të tjera me vlera, sa historike dhe akademike.

Thanas Hoda

Çikago, Qershor 2021.