E ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, ka qenë kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike Edith Harxhi e cila ka treguar se ajo është tepër aktive dhe bën çdo ditë takime me ambasadorë të rëndësishëm, përfshirë këtu edhe me Yuri Kim, por nuk preferon t’i bëjë publike.
Gjithashtu ajo ka treguar se kur ka punuar në Ambasadën e Ankarasë, e kanë hequr sepse mendonin që ishte agjente e shërbimit inteligjent MI6 sepse kishte përfunduar studimet në Britaninë e Madhe dhe kishte një kompjuter që ishte i lidhur me internet, një gjë që ishte disi e pazakontë në vitet ’97.
Arian Çani: Takohesh me Yuri Kim?
Edith Harxhi: Po unë e takoj shumë shpesh.
Arian Çani: Ajo bëri 3 takime, bëri me Agronin, me Bardhin dhe me ty. E bëri me ty?
Edith Harxhi: Po është bërë gjë publike?
Arian Çani: Po si ka mundësi që nuk është bërë?
Edith Harxhi: Po sepse unë nuk i bëj takimet publike. Unë jam diplomate karriere, unë e di se kur takimet duhet të bëhen publike dhe kur nuk duhet. Unë takohem përditë me ambasadorë, përditë marr mesazhe nga ambasadorë, përditë takohem me ambasadorë, jo vetëm me Yuri Kim, por edhe me të tjerë shumë të rëndësishëm. Përditë flas me Kancelaritë e huaja.
Arian Çani: Bardh Kadillin e pyeta nëse është agjent i CIA-s, ka punuar me USAID, ai më tha dhe po të isha nuk do ta thoja.
Edith Harxhi: Më kanë quajtur një herë në ’97-ën kur më hoqën nga Ambasada e Shqipërisë në Ankara pa asnjë lloj justifikimi, më kanë quajtur agjente e Inteligjent Service, MI6 e anglezëve. Atëherë thoja me vete që o sa mirë do ishte sikur të kisha qenë, por arsyeja e vetme pse ma kishin vënë këtë nofkë, ishte sepse kisha një kompjuter në vitin ’97 dhe kisha hapur internetin për herë të parë dhe interneti dukej çudi.
Unë isha në Ankara, por arsyeja pse më lidhnin me Inteligjent Service, ishte për arsye sepse unë sa isha kthyer nga studimet në Britaninë e Madhe.