Ekonomi Biznesi i qumështit të gomaricës, që po njeh vetëm rritje

Biznesi i qumështit të gomaricës, që po njeh vetëm rritje

Flet Elton Kikia, Menaxher i Fermës në Paper

E-commerce përjetoi lulëzimin më të madh gjatë pandemisë dhe në kushtet e izolimit, gjithçka mund ta blije online madje …madje edhe qumështin e gomaricës, i njohur për disa veti të veçanta të tij. Por këtë produkt, shqiptarët nuk e duan të huaj, përkundrazi preferojnë ta marrin nga ferma.

Edhe pse ende e vogël, një fermë gomaricash në Paper të Elbasanit bëri jo pak bujë edhe në media ndërkombëtare të njohura për veçantinë e saj. Djali i familjes, njëkohësisht menaxheri i fermës, Elton Kikia, tregon se fati i të pasurit një produkt shqiptar të veçantë e ka bërë të mos e ndiejë peshën e paragjykimit që ekziston për produktet e tjera shqiptare. Përkundrazi, dita-ditës numri i konsumatorëve që vizitojnë fermën rritet.

Elton Kikia

Si lindi ferma juaj e cila prodhon qumështin e gomaricës?

Gati dy vjet më parë filloi të zbatohej në praktikë një dëshirë e hershme e imja, për të krijuar një fermë të vogël në pronat që familja ime zotëron. Prej 20 vitesh, ne si familje e kemi braktisur fshatin dhe jemi vendosur në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve për gazetari, filloi karriera ime në këtë profesion të cilin e dashuroj. Por gjithmonë, duke e ndarë pasionin për gazetarinë me pasionin për natyrën.

Në 4 vitet e fundit, nisa të mendoja seriozisht për t’u rikthyer e për të bërë një investim në atë vend, por pa u shkëputur nga profesioni. Idetë ishin të shumta, por asnjëra e realizueshme për arsye nga më të ndryshmet. Derisa një ditë zbulova që në disa vende të Europës ekzistojnë disa ferma që mbarështojnë gomaricat dhe prodhojnë qumësht gomarice. Nuk e di pse, por mendimi i parë që më erdhi ishte “EUREKA”! E gjeta!

Kështu më lindi ideja. Por si fillim më duhej të bëja llogaritë. Më rezultoi që kushtet ishin të favorshme. Atje kisha në dispozicion një infrastrukturë tashmë të ngritur, stalla, uji i pijshëm, shtëpia, etj. Kisha në dispozicion për të prodhuar ushqim për kafshët më shumë se një hektar tokë bujqësore. Pak nga pak ferma nisi të marrë formë.

Sa krerë keni në fermë dhe cilat janë planet e zgjerimit?

Momentalisht kemi në fermë 20 krerë. Këtu futen gomaricat në moshë prodhuese, por edhe disa të vegjël, që na kanë lindur vitin e kaluar.

Jemi në zgjerim të vazhdueshëm. Jo të gjitha këto kafshë janë blerë njëkohësisht. Gomarica e fundit që kemi blerë, ka ardhur në fermë diku nga mesi i prillit, një muaj më parë. Është pak e vështirë për t’i gjetur, sepse gomaricat janë kafshë që po shkojnë drejt zhdukjes. Vizioni ynë është një fermë me mbi 50 gomarica. Momentalisht nuk kemi arritur as në gjysmë të rrugës. Të ardhurat që po sigurohen nga qumështi i gomaricës po investohen në zgjerimin e fermës, dhe jo për të më pasuruar mua me miliona.

Qumështi i gomaricës është një produkt i veçantë që nuk njihet gjerësisht në vendin tonë. Si është kërkesa për të?

Qumështi i gomaricës mund të duket si një produkt trendi i futur në treg rishtazi, por në realitet, është përdorur prej mijëra vitesh. Babai i mjekësisë, Hipokrati, e përdorte si trajtim mjekësor për artritin, kollën dhe plagët. Kleopatra, mbretëresha e Egjiptit, e mbante lëkurën e saj të butë dhe të lëmuar duke bërë banjë me qumësht gomarice.

Mua më ka rezultuar që në Shqipëri, njerëzit ia njohin vlerat kuruese qumështit të gomaricës, duke i dëgjuar nga goja e prindërve ose gjyshërve, të cilët kanë jetuar në një kohë kur farmacitë nuk ekzistonin. Përdorimi më i përhapur i këtij qumështi ka qenë në shërimin e “kollës së mirë”.

Nisur nga këto fakte, shumica e njerëzve e kërkojnë qumështin e gomaricës për sëmundje që prekin kryesisht rrugët e frymëmarrjes, si kollën, bronshitin, astmën, alergjitë, kur kanë ftohje të vjetër në mushkëri etj. Por e kërkojnë edhe për forcim imuniteti dhe për probleme të tjera, për shembull të stomakut, probleme të lëkurës.

Së fundmi, në kohën e pandemisë, qumështi i gomaricës ka rezultuar një ndihmë shumë e mirë për ata që po kalojnë ose kanë mbetur me pasoja nga Covid-19. I ndihmon në rregullimin e frymëmarrjes dhe në rigjenerimin e mushkërisë. Për mua kjo ka qenë befasi. Një person kishte ardhur për të marrë qumësht dhe nuk më tregoi për çfarë e donte.

Pak kohë më vonë më telefonon dikush tjetër dhe më thotë se ia kishte rekomanduar qumështin për Covid–19 një mik të cilit i kishte dhënë efekt shumë të mirë. Në këtë mënyrë, njerëzit sollën njëri-tjetrin. Të jem i sinqertë nuk kam bërë reklamë për këtë gjë, sepse po ta imagjinosh ishte 2020-a, koha e karantinës së plotë. Dhe sapo kishin arrestuar disa persona që pretendonin se kishin gjetur kurën e virusit. Nga ana tjetër, njerëzit nga frika dhe dëshpërimi janë gati të provojnë çdo gjë, por vetëm një i pashpirt do të shfrytëzonte rastin të bënte para nga dëshpërimi i të tjerëve. Prandaj kam qenë i rezervuar në reklamimin e qumështit të gomaricës, lajmi mori dhenë edhe pa reklamën time.

Duhet të jemi të qartë kur flasim për këtë aspekt. Nuk po them se ky qumësht lufton dhe vret virusin. Por ai ndihmon dhe pastron organizmin nga dëmet që ka shkaktuar virusi.

Sa është prodhimi juaj ditor mesatar?

Momentalisht, në fermë kemi vetëm 5 gomarica që prodhojnë qumësht sepse të tjerat janë akoma në periudhën e shtatzënisë. Nga këto 5 gomarica në sigurojmë nga 1.5 deri në 2 litra në ditë.

Si e bëni paketimin dhe shpërndarjen e këtij qumështi. A jeni lidhur me njësi të veçanta tregtimi që e pranojnë në raftet e tyre, apo shpërndarja bëhet në fermë? A është e lehtë të gjesh zinxhirin e shpërndarjes?

Qumështi i gomaricës e ka efektin maksimal kurativ kur konsumohet sa më i freskët. Domethënë, sapo e mjelim, qumështi duhet të kalojë menjëherë te klienti. Nuk është një produkt që mund ta mbash në rafte të dyqanit dhe të shitet pak nga pak. Kur ne nuk kemi pasur kërkesa për qumësht, atëherë nuk i kemi mjelë fare gomaricat. Pra as në fermë nuk mbajmë rezerva qumështi në stok.

Sepse pastaj do të zhgënjenim njerëzit në efektet kurative. Ne fillimisht marrim porosinë për qumësht, pastaj caktohet dita kur klienti do ta marrë. Shumica vijnë vetë në fermë, sepse ne u japim mundësi njerëzve të jenë të pranishëm kur bëhet mjelja e qumështit. Pra si të themi, ne prodhojmë sipas porosive. Kemi provuar të bashkëpunojmë edhe me disa dyqane në Tiranë, por edhe në këtë rast, dyqanet nuk e mbajnë qumështin gati në rafte. Ata e reklamojnë dhe më pas kur iu vjen një porosi, na marrin në telefon që t’ua dërgojmë.

Vetëm për qytetin e Tiranës, ne e mbulojmë shpërndarjen e qumështit vetë. Për qytetet e tjera, njerëzit ose duhet të vijnë në fermë, ose duhet ta marrin nëpërmjet dikujt që ka rrugën për atje ku janë ata.

A e keni regjistruar markën dhe sa mbështeten produktet shqiptare nga ana e politikave ekonomike dhe marketimit?

Markën nuk e kemi regjistruar ende. Ndoshta ky është një gabim në strategjinë që kemi ndjekur deri tani, por na e ka marrë fokusin zgjerimi dhe përmirësimi i kushteve në fermë. Por e kemi në planet afatshkurtra për ta bërë diçka të tillë.

Për sa u përket politikave dhe mbështetjes si një produkt Made in Albania, deri tani nuk kemi parë asnjë mbështetje të mirëfilltë. Por investimi ynë ka nxitur kureshtje edhe te politikëbërësit në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë. Na kanë kontaktuar dhe kanë shprehur dëshirën për të vizituar fermën, duket si shenjë e mirë.

A paragjykohet marka shqiptare në raport me atë të huaj, apo për hir të veçantisë, nuk e ndieni këtë nga konsumatorët?

Në të vërtetë, nuk e ndiejmë shumë këtë paragjykim për shkak specifikave që ka ky produkt. Por mund të them se disa klientë na kanë treguar që kanë pasur mundësi ta gjenin këtë produkt të ardhur nga jashtë në faqet e shitjeve online, por kanë preferuar të vijnë ta marrin qumështin tek ne, të freskët dhe duke parë me sytë e tyre procesin e mjeljes. Ndoshta ka të bëjë me besueshmëri më të madhe te produkti i freskët vendas.

Burimi: Revista Monitor