Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe presidenti turk Erdogan zhvilluan të hënën takimin e parë mes tyre si drejtues shtetesh.
“Patëm një takim pozitiv dhe produktiv, pjesën më të madhe kokë më kokë”, tha presidenti Biden në një konferencë për shtyp pas takimit në Bruksel. Ai lajmëroi se ekipet respektive do të vazhdojnë diskutimin dhe shprehu besimin se do të arrijnë progres të vërtetë me Turqinë dhe Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Erdogan tha se “në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë nuk ka probleme që janë të pazgjidhshme dhe se fushat e bashkëpunimit për ne janë më të pasura dhe më të mëdha se problemet”.
Turqia, vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, ka zemëruar aleatët e saj në aleancën ushtarake perëndimore duke blerë raketa ruse tokë-ajër dhe duke ndërhyrë në luftërat në Siri dhe Libi.
Ajo është angazhuar gjithashtu në një përballje me Greqinë dhe Qipron mbi ujërat territoriale në Mesdheun Lindor.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë një tjetër ftohje kur presidenti Biden e njohu me shpejtësi masakrën e armenëve në 1915 si gjenocid, një qëndrim që zemëron Turqinë. Një aspekt ku Erdogan shpresonte të demonstronte një rol qendror turk në NATO është Afganistani, ku Ankaraja ka ofruar të ruajë aeroportin e Kabulit, pasi forcat amerikane dhe të NATO-s të tërhiqen në javët e ardhshme.
Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Turqia do të luante një rol kryesor, por asnjë vendim nuk u mor në takimin e së hënës.