Sport Short i pranueshëm për Teutën, sfidon moldavët e Sheriff Tiraspol

Short i pranueshëm për Teutën, sfidon moldavët e Sheriff Tiraspol

Short i pranueshëm për Teutën në raundin e parë kualifikues të UEFA Champions League. Goglat e hedhura në Nyon të Zvicrës vunë përballë kampiones së Shqipërisë moldavët e Sheriff të Tiraspolit me Teutën e Edi Martinit që do ta luajë ndeshjen e parë në Niko Dovana në datën 6 ose 7 korrik.

Durrsakët evituan dy skuadra më të frikshme në letër si bullgarët e Ludogorets dhe kazakët e Kairat Almaty, ndërkohë që nuk patën fat që shorti t’i vendoste përballë Dinamos së Tbilisit e cila u eliminua nga Tirana një vit më parë. Sheriff i Tiraspolit është një kundërshtar i njohur për skuadrat shqiptare pasi në të shkuarën ka eliminuar nga Champions League Dinamon dhe Kukësin. Ndërkohë që skuadra moldave eliminoi edhe Partizanin nga turi i dytë kualifikues i Europa League me rezultat të përgjithshëm 2-1.

Short jo shumë i favorshëm për Shkëndijën e Tetovës që edhe pse ishte në vazon e skuadrave favorite dhe mund të peshkonte kundërshtarë më të lehtë, goglat e vendosën përballë kampiones së Sllovenisë NS Mura me ndeshjen e parë që Shkëndija do ta luajë në shtëpi. Short shumë i vështirë për kampionen e Kosovës Prishtinën që nëse kalon raundin paraeliminator do të sfidojë Ferencvarosin e Myrto Uzunit që sezonin e kaluar ishte pjesë e grupeve të Champions League me ndeshjen parë që do të luhet në Budapest.

Sfidat e vajtjes të raundit të parë kualifikues të Champions League do të zhvillohen në datat 6 dhe 7 korrik dhe ato të kthimit një javë më vonë.