Pol Pogba nuk dëshiron që Antonio Rudiger të ndëshkohet nga UEFA për kafshimin që i dha në takimin Francë-Gjermani. Gjatë një dueli në fushë, mbrojtësi gjerman e kafshoi në shpatull. Menjëherë francezi kërkoi reagimin e gjyqtarit të ndeshjes, por nuk erdhi. Gjithsesi të dy lojtarët, e zgjidhën këtë çështje vetë në fushë dhe në fund të takimit, të dy u përqafuan dhe sqaruan gjithçka.
Mesfushori francez për mediat tha se gjithçka ishte mbyllur dhe se dëshiron që të mos ketë asnjë pezullim për kolegun kundërshtar. Pavarësisht kësaj, UEFA mund të hapë një proces për këtë ngjarje dhe mund të mos ta marrë parasysh deklaratën e Pogbasë.
Nëse vërtetohet diçka e tillë, Rudiger mund të ketë fatin e uruguaianit Luis Suarez, që për të njëjtin veprim u dënua me 9 muaj pezullim në ndeshjet ndërkombëtare. Ky do të ishte një dënim i rëndë për gjermanin, kampion i Evropës me Çelsin.
Suarez në Kupën e Botës 2014 në takimin Uruguaj-Itali kafshoi mbrojtësin Xhorxhio Kielini, veprim ky që solli kritika e më pas dënimin e ashpër.