Të rejat më të fundit për shëndetin e Christian Eriksen thonë se futbollisti do të operohet. Mesfushorit të Interit dhe Danimarkës do t’i vendoset një defibrilator kardiak automatik.
Lajmi u dha nga Federata Daneze e Futbollit përmes një komunikate zyrtare për shtyp. “Ky është një implant i detyrueshëm pas arrestit kardiak që 29-vjeçari pësoi si pasojë e aritmisë”, shkruhet mes të tjerash.
“Christian ka kërkuar këshillime nga shumë specialistë kombëtare dhe ndërkombëtarë dhe të gjithë i kanë sugjeruar këtë gjë”.
Por ajo që është më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se me vendosjen e kësaj pajisje pranë zemrës, Eriksen nuk e ka më të mundur të luajë futboll në Itali.
Jashtë Italisë ka futbollistë që luajnë me një aparaturë të ngjashme të instaluar, holandezi Blind është shembulli më i famshëm. Por në Itali kjo nuk është e mundur, dhe për këtë arsye do të jenë thelbësorë kontrollet e reja që lojtari do të bëjë pas disa javësh. E rëndësishme është se Eriksen është mirë, por e ardhmja e tij si futbollist për momentin është një rebus.