Qeveria Federale e Gjermanisë ka hequr të gjitha kufizimet e udhëtimeve hyrëse për personat rezidentë në Shqipëri me efekt që nga dita e diel, 20 qershor.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada gjermanë në Tiranë ka dhënë udhëzimet e nevojshme për të gjithë personat që vendosin të udhëtojnë drejt Gjermanisë.
“Qeveria Federale ka hequr të gjitha kufizimet e udhëtimeve hyrëse për personat rezidentë në Shqipëri me efekt që nga dita e diel, 20 qershor, ora 0:00 CET. Që nga kjo datë, udhëtimi për në Gjermani i personave rezidentë në Shqipëri, lejohet përsëri për të gjitha qëllimet e udhëtimit.
Për udhëtimet hyrëse me rrugë ajrore, është e domosdoshme një dëshmi e testit, një dokument që provon shërimin apo vaksinimin”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Duke nisur nga dita e sotme vendet anëtare të Bashkimit Europian duhet të heqin gradualisht kufizimet e udhëtimit për të gjithë shtetasit, të cilët vijnë nga vendet jo anëtare të unionit.
Në listën e përditësuar nga Këshilli Evropian si vende te sigurta, janë edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.