Ish-komandoja Meviol Bilo u cilësua fajtor nga Gjykata e Tiranës për plagosjen e rëndë të Elio Hatos, në ngjarjen e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, si dhe u plagos Ervis Martinaj.
Ai u dënua me 7 vite burgim për plagosje dhe armëmbajtje pa leje, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim iu reduktua në 4 vite e tetë muaj.
Por, ish-komandoja nuk do të shkojë në burg, pasi dënimi iu konvertua në 4 vite e 8 muaj shërbim prove.
Gjatë gjykimit, avokatët e tij, Alban Bengasi dhe Elton Hyseni, arritën të bindin gjykatën se Bilo reagoi me armë për shkak se i rrezikohej jeta.
Me këtë argument, se ai kishte reaguar për shkak të nevojës ekstreme, gjykatësi paraprak i pushoi ish-ushtarakut akuzën e vrasjes së Fabian Gaxhës.
Ndërkohë, biznesmeni Ervin Mata dhe miqtë e tij Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, u dënuan për moskallëzim krimi me 6 muaj burgim që zbret në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe urdhëroi Matën, Allushin dhe Boshnjakun të kryejnë secili nga 100 orë punë në interes publik.
Me shërbim prove u dënua edhe Geldo Hoti.