Shtypi grek vijon të trajtojë ngjarjen e rëndë të vrasjes së 20-vjeçares Karolina në Greqi nga burri i saj pilot, Babis Anagnostopoulos 32 vjeç.
Në televizionin SKAI të Athinës ka folur një e afërme e nënës së Karolinës, dhe ka treguar se si ka reaguar mamaja e viktimës kur mësoi se personi që i vrau vajzën është pikërisht dhëndri.
“Suzana (nëna e 20-vjeçares) është shumë e zemëruar. Është e mbushur me zemërim dhe me shumë pikëpyetje në mendje. Ajo i mbante të gjitha shpresat tek Babis (dhëndri), e shikonte atë si vazhdimin e vajzës së saj. Ajo nuk e kishte idenë, nuk kishte dyshuar kurrë tek Babis. Ishte shumë e lumtur për të dy, saqë gjithmonë thoshte mos na ndodhë ndonjë gjë e keqe kaq të lumtur sa janë”.
Nga ana tjetër, ka folur edhe një shok i Babis, për të zbuluar më shumë rreth karakterit të 32-vjeçarit. Gjëja që ka shokuar opinionin publik, është fakti se pas vrasjes, ai kishte sajuar historinë e një grabitje me fund tragjik.
“Ju është dukur i ftohtë sepse kështu ishte edhe si njeri. Gjithmonë ishte i buzëqeshur, nuk ishte i zemëruar, por nuk shfaqte emocione të forta, as gëzim dhe as trishtim, nuk ofendonte të tjerët. Ishte aq i dashuruar saqë vinte në ishull për 1 orë vetëm për t’i sjellë Karolinës një buqetë me lule”, tha ai.
Miq të familjes së pilotit kanë thënë ndër të tjera se vëllai i 32-vjeçarit është i tronditur nga e gjithë ngjarja.
“Vëllai i tij është i tronditur, është akoma në ishullin Alonissos. Kush i njeh prindërit e tij e di që janë shenjtorë, janë të shkolluar, nuk e di se si do ta menaxhojnë gjithë këtë situatë”, tha një i njohur i familjes.