Kryeministri Edi Rama thotë se Reforma në Drejtësi vijon luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Në një intervistë për “France 24”, kryeministri u pyet për dënimin me dy vite burg ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit. Rama nuk u ndal konkretisht te rasti Lalla, por theksoi se korrupsioni në nivele të larta ka qenë pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian
“Jemi në një betejë për të reformuar sistemin e drejtësisë. Korrupsioni i lartë ka qenë një pengesë e deritanishme për mos hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha me reformat në drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit, por ende kemi shumë punë përpara për të arritur standardin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian Do të bëjmë ç’është e mundur duke luftuar korrupsionin sidomos në sistemin e drejtësisë dhe do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të përmbushur kushtet e vendosura për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian”.
Kreu i qeverisë foli dhe për situatën e krijuar nga Covid-19 në vendin tonë, duke thënë se Shqipëria ia ka dalë që renditet në vendet me nivel të lartë të vaksinimit duke sjellë si pasojë uljen e numrit të infektimeve dhe lehtësim të masave kufizuese.
“Ne ia kemi dalë të kryejmë një vaksinim masiv, pasi kemi nisur prej disa javësh. Shqipëria ka ecur me ritme të shpejta, ku kemi arritur të vaksinojmë një pjesë të madhe të popullsisë, madje para disa javësh hoqëm disa nga masat e ndërmarra kundër përhapjes së Covid-19, hoqëm vendosjen e maskave në ambientet e jashtme. Ky vendim erdhi pas numrit të ulët të rasteve të reja, ku sot Shqipëria renditet një nga vendet me nivel të lartë vaksinimi dhe rënie të ndjeshme të infektimeve”.
Pavarësisht pretendimeve të opozitës për parregullsitë në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Rama tha për median franceze se ato ishin brenda standardeve dhe të qeta.
“Këtë herë Shqipëria ka zhvilluar zgjedhje të ngjashme me vendet e Ballkanit dhe ato të Mesdheut. Zgjedhjet u zhvilluan të qeta, pa probleme dhe në përputhje me standardet e kërkuara”.
Rama thekson se nëse Shqipëria nuk do të kishte pasur probleme me pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe atë gjyqësor tashmë do të ishte në Bashkimin Evropian dhe për këtë arsye, thotë kryeministri, qeveria e tij i ka nisur zbatimin e procesit të Reformës në Drejtësi.