Kylian Mbappé dëshiron të largohet nga PSG dhe nuk është i gatshëm të rinovojë kontratën e tij, e cila skadon pas një viti. Transmetuesi francez “Rmc Sport” e raporton këtë lajm. Ylli francez tashmë ka kërkuar të largohet nga “Parce des Princes”.
Duke pasur parasysh investimin e bërë për të, blerjen nga Monaco, Leonardo dhe presidenti Nasser Al Khelaifi gjenden në një situatë shumë të komplikuar. Gjetja e një blerësi potencial, i gatshëm të paraqesë një ofertë të rëndësishme për një lojtar të blerë 180 milionë euro, duket e pamundur në kushtet e krizës aktuale të futbollit, sidomos prej pandemisë.
Ndër klubet e interesuara për sulmuesin spikat Real Madridi, por presidenti Perez ka tjetër plan. Ai nuk dëshiron të nxjerrë asnjë para nga xhepi, por të presë edhe një vit dhe ta marrë falas yllin francez. Një skemë të cilën nuk e ndalon dot as PSG, në kushtet kur Mbappe nuk pranon të rinovojë.
Por emisioni El Chiringuito (mjaft pranë Realit) vazhdon të këmbëngulë se brenda kësaj vere do të kryhet transferimi i francezit në “Santiago Bernabeu” sepse dëshira e tij është vetëm të veshë fanellën blancos.