Mimi Kodheli, ish-ministre e deputete, nuk do jetë më në Parlament, pasi nuk arriti të marrë votat e duhura më 25 prill. Ndaj, ajo përcolli sot një fjalë lamtumire nga ky i tanishmi, duke nisur nga ajo çfarë ka vuajtur më tepër, referuar gjuhës së opozitës ndaj saj, por pa përmendur emra konkretë.
“Më janë lëshuar fjalë fyese, janë thënë të paqena dhe bërë veprime që nuk i shkojnë për shtat as një qytetari të thjeshtë e aq më pak një përfaqësuesi të tij në instancën më të lartë të përfaqësimit dhe më e keqja është se është bërë thuajse gjithmonë në emër të popullit.
Meqë është fjala ime e fundit në këtë sallë si deputete, nuk dua të flas për atë që nuk kemi ditur të bëjmë apo se kemi bërë fare.
Megjithë të metat tona, ky institucion dhe kjo foltore mbeten më të rëndësishmet brenda republikës tonë parlamentare ndaj respekt dhe përulje për të gjithë ata kolegë që në vite kanë dhënë maksimumin që kanë përmbushur këtë detyrë me seriozitet dhe nder.
Nuk kam bërë mrekullira, por misioni im ka qenë i qartë dhe angazhimi ka qenë maksimal”, tha znj. Kodheli, duke veçuar më pas njeriun që e futi në politikë.
“Faleminderit Edi Rama për besimin për të përfaqësuar atdheun. Ke qenë mik, shok e koleg. Ju falenderoj nga zemra, shpresoj të shihemi së shpejti duke bërë punë të mira dhe punë të mbarë”, përfundoi politikania socialiste.