Pas një pauze të shkurtër për shkak të pandemisë, skuadra e antidrogës është sërish në aksion.
Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se në Europë, ekziston një problem në rritje i përhapjes së kokainës. Substanca në kontinent është pothuajse dy herë më e pastër sesa ishte 10 vjet më parë.
Produktet e kanabisit gjithashtu po bëhen më të fuqishme për shkak të një rritje në përmbajtjen e kanabinoidëve sintetikë dhe tani po dominojnë tregtinë online të drogës.
Për shkak të pandemisë, narkotikët dërgohen gjithnjë me postë, prandaj doganat austriake kontrollojnë rregullisht qendrat e shpërndarjes.
Gjatë dekadës së kaluar, numri i përdoruesve të drogës në të gjithë botën është rritur me gati një të pestën.
“Kishte një ngadalësim të konfiskimeve, një ngadalësim të tregtisë, një ngadalësim të dërgesave. Por, shumë shpejt ato janë rregulluar dhe përshtatur dhe ne shohim sasi të rritura që transportohen në Europë”, tha Ghada Waly, Drejtore Ekzekutive e UNODC.
Por, shkaku kryesor i shqetësimit në Europë është kokaina. Në të kaluarën, mafia italiane e mbizotëronte tregtinë e kokainës. Tani, gjithnjë e më shumë kontrabandistë nga Ballkani po përfshihen, duke shumëzuar kështu zinxhirët e furnizimit.
“Ne kemi parë që kokaina po bëhet më e lirë në Europë, më e pastër në Europë dhe në sasi më të mëdha, e cila është një arsye kryesore për shqetësim. Ne kemi nevojë të rrisim bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e informacionit midis vendeve burimore dhe porteve marrëse”, tha ajo më tej.
Sipas Kombeve të Bashkuara, numri i përdoruesve të drogës do të vazhdojë të rritet me 11% këtë dekadë.
Afrika është veçanërisht e prekur, megjithëse kjo tendencë shqetësuese mund të përmbyset nëse merren masat e duhura.